Vendimi për t’u vënë nën mbrojtje të shtetit, zonat e Malit të Moknës dhe Liqenit të Ujmanit, e radhit Kosovën si shtet me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Këto dy zona, sipas Ministrisë së Mjedisit, do të vihen në plan për t`u shndërruar në parqe kombëtare, pas Bjeshkëve të Nemuna dhe parkut të Sharrit.
Mali i Moknës ndodhet në rajonin e Dukagjinit si pjesë e vargmaleve të Alpeve Shqiptare, në kufirin mes Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Ndërkohë që Liqeni i Ujmanit, që është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e vendit, shtrihet në veri të shtetit, në kufi me Serbinë.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka vënë në pah se me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, nënvizojnë se ky hap përbën një arritje të madhe drejt përmbushjes së objektivave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, si dhe një angazhim të vendosur për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ndërkohë, këto dy zona, do të vihen në plan për t’u shndërruar në parqe kombëtare, pas Bjeshkëve të Nemuna dhe parkut të Sharrit.
“Kosova ka 272 zona të mbrojtura ligjërisht, por në cilësinë e parqeve kombëtare Kosova arrin 12.2 % të zonave të mbrojtura që lë pas shumë shtete”, tha Fejza.
Mali i Moknës dhe Liqeni i Ujmanit janë pika ku natyra, historia dhe kultura bashkohen. Ruajtja e tyre nuk është vetëm çështje e mjedisit, por edhe e kujtesës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Këto zona, pos që bartin vlera të trashëgimisë kulturore dhe historike, ofrojnë potencial për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.



Të tjera
Fillon sot Forumi i Paqes në Paris, Kurti përfaqëson Kosovën
3 gjëra të rëndësishme në jetë që duhen mbajtur private
Këto janë disa ushqime që shpëtojnë mushkëritë