Përcjellësit e pacientëve të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po obligohen që të paguajnë nga 3 euro për çdo natë qëndrimi aty.
Kjo tarifë është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Bashkëpagesa, të cilin QKUK ka thënë për KALLXO.com që ka nisur ta zbatoj tash e 10 ditë.
Në një përgjigje për KALLXO.com, nga QKUK kanë shpjeguar se kjo tarifë zbatohet në të gjitha klinikat përveç asaj të Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje.
“Sipas këtij udhëzimi, përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeç janë të obliguar të paguajnë një tarifë prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së. Ky obligim zbatohet në të gjitha klinikat, me përjashtim të Klinikës së Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht se pacientët mund të jenë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së. Përjashtim nga pagesa bëjnë gjithashtu përcjellësit e pacientëve nën moshën 15 vjeç”- thuhet në përgjigje.
KALLXO.com ka pyetur në lidhje me kushtet që u ofrohen përcjellësve të pacientëve nga ana e QKUK-së.
“Njëkohësisht, QKUK inkurajohet të sigurojë kushte minimale për përcjellësit e pacientëve, përfshirë vende për ulje dhe hapësira të përshtatshme, veçanërisht në klinikat ku pacientët janë në trajtim post-operativ apo kërkojnë kujdes të veçantë. Theksojmë se bashkëpagesa për përcjellësit nuk zëvendëson në asnjë rrethanë kujdesin infermierë dhe shërbimet profesionale shëndetësore që u ofrohen pacientëve”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.
QKUK deklaron se”qëllimi i kësaj mase është reduktimi i numrit të përcjellësve brenda klinikave, me synim përmirësimin e funksionimit normal të shërbimeve shëndetësore, ruajtjen e rendit, si dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor.
Por, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) është shprehur e shqetësuar me vendimin e menaxhmentit të QKUK-së për zbatimin e tarifës prej 3 euro për përcjellësit e pacientëve.
“Vendosja e një pagese për këtë rol krijon barrë shtesë për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që vet sistemi e konsideron të nevojshëm”- thuhet ndër tjera në reagimin e PRAK.




Të tjera
Organizatat e dala nga UÇK janë pjesë e Këshillit
Futbollisti sllovak thotë se Kosova do të jetë agresive
Shkaku i të shtënave me armë afër stadiumit, ndeshja në Meksikë ndërprehet