Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka përfaqësuar Kosovën në takimin e nivelit të lartë të “Justice Action Coalition (JAC)”, që po mbahet në Madrid të Spanjës, ku janë mbledhur ministra të drejtësisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve të larta të drejtësisë nga mbarë bota.
Ministria e Drejtësisë thotë se pjesëmarrja në këtë samit përbën një dëshmi të qartë të integrimit dhe kontributit të saj në rrjetet ndërkombëtare të drejtësisë.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare, zëvendësministri në detyrë, siç ka bërë të ditur MD-ja, theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve të forta të drejtësisë janë shtylla themelore të qeverisjes demokratike, stabilitetit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
“Ai vuri në pah përparimin e Kosovës në sundimin e ligjit, duke u bazuar në të dhënat e World Justice Project, Transparency International, dhe Freedom House, që e rendisin Kosovën ndër vendet me përmirësim më të madh në fushën e drejtësisë dhe qeverisjes demokratike në rajon”, bëhet e ditur në njoftim.
Bëhet e ditur se atje, Qorrolli ka përmendur raportin e Gallup International, ku ka thënë se Kosova është renditur ndër tre vendet më të sigurta në botë dhe vendi më i sigurt në Evropë, me një rezultat prej 94 pikësh nga 100.
“Këto rezultate nuk janë thjesht statistika, ato janë pasqyrë e besimit të qytetarëve në ligj dhe në institucionet e sigurisë”, theksoi ai.
Qorrolli ka thënë se Kosova e sheh “Justice Action Coalition” si një aleancë të fuqisë e hapësirë ku çdo shtet anëtar kontribuon në ndërtimin e një peizazhi global të drejtësisë më gjithëpërfshirës e më njerëzor.
Kosova është anëtare me të drejta të plota e “Justice Action Coalition” që nga prilli i vitit 2023.



Të tjera
Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së
Stresi dhe ankthi mund të jenë të dobishëm
Kurti takon presidentin e TİKA-s, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit