Quni: LVV ka kontaktuar dy deputetë të LDK-së, ata mbesin besnikë ndaj partisë

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 22-të të konstituohet. Deputeti i LDK-së, Anton Çuni para mediave ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje ka kontaktuar dy deputetë të këtij subjekti.

Ai tha se mbetet në diskrecionin e tyre që të tregojnë se kush janë, derisa shtoi se deputetët në fjalë janë shumë stabil dhe i qëndrojnë parimeve të LDK-së.

“Mundem me thanë që kontaktohen të gjithë deputetët në forma të ndryshme, kontaktohem edhe unë. Kur kontaktohemi ne pyesim a kanë autorizime, kontaktohemi nga zyrtarët e LVV nga ndërmjetësuesit e tyre.  Është fakt se dy deputetë të LDK-së janë në një fokus të veçantë të interesimit të LVV-së. Mbetet në diskrecionin e tyre që të deklarohen, I kemi informatat dhe përmbajtjen e bisedave. Deputetët që janë kontaktuar nga LVV janë shumë stabil dhe do ti përmbahen qëndrimeve të LDK-së”, tha Çuni.

Ai tutje shtoi se LVV nuk po arrin ti siguroj votat e mjaftueshme për të votuar kandidatin e propozuat për kryetar të Kuvendit.

Gjithnjë më sfiduese ka qenë formimi i Qeverisë sesa votimi i kryetarit të parlamentit. Në këtë rast kur partia e parë nuk mundet me i siguru votat e duhura është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë deri në pafundësi. Kur nuk janë të zotë me ofru zgjidhje, LVV duhet me pranu zgjidhjen. Zgjidhja në këto rrethana është dakordimi për qeveri gjithëpërfshirëse për një kohë të caktuar”, tha Çuni.