Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Qytetari përballë cirkut të aderimeve

Qytetari përballë cirkut të aderimeve

Shkruan: Besa Nuredini

Ditëve të fundit po shohim një garë të çuditshme politike: partitë e vjetra në Kosovë po përpiqen të krijojnë zhurmë me “aderime”.

Jo aderime të bazuara në ide, vizion apo programe, sepse ato mungojnë, por aderime të mbështetura në inat, në ego të lënduar, dhe mbi të gjitha në një obsesion të përbashkët: ta rrëzojnë Albin Kurtin nga pushteti.

AAK – Partia që as vetë nuk e di çfarë programi ka dhe aty ku çdo aderim i ri shitet si shpëtim kombëtar.

Së pari na u prezantua Agim Çeku, një rikthim më tepër muzeal sesa politik. Pastaj edhe kunati i Albulena Haxhiut i cili aderoj në këtë parti. E gjithë kjo paraqitet si një fitore e madhe, kur në fakt nuk është gjë tjetër veçse hakmarrje personale e të pakënaqurve ndaj Vetëvendosjes. Një “perinat” klasik politik, që nuk ka të bëjë as me ide, as me shtet, por me ambicie të dështuara individuale.
Le ta themi troç: AAK është një parti që nuk e di nëse është liberale, konservatore, nacionaliste apo thjesht familjare. Ajo që e di është vetëm një gjë: dëshira e madhe që ta rrëzojë Albinin nga pushteti. Kjo është e vetmja “kauzë” me të cilën garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit, një program bosh i mbështjellë me ego personale, dhe ironia më e madhe, me gjithë këto përpjekje, me gjithë këto aderime të pritshme e të papritshme, AAK seriozisht rrezikon ta kalojë pragun.

Nisma – Partia që kërkoi postin e kryetarit të Kuvendit me 3 deputetë

Nisma është ajo parti që kërkoi një nga postet më të larta të shtetit vetëm me tre deputetë. Sot, rrezikon të mos ketë as një karrige në Kuvend. Pas gjithë “përpjekjeve”, pas gjithë “strategjisë” në bisedime, her me VV e her me LDK, partia që dikur pretendonte shumë… sot e ka të vështirë të imagjinojë pragun.

LDK – Aty ku aktivistët e dështuar shiten si ekspertë

LDK vazhdon t’i marrë njerëzit e saj që s’morën as 100 vota për asamble komunale dhe të njejtit t’i prezantojë si “ekspertë të fushave të ndryshme”. Nëse këta janë ekspertë, atëherë vërtet Kosova paska qenë Harvard i Ballkanit e ne nuk e paskemi ditur.

Gjatë këtyre viteve kemi parë akademikë të LDK-së që rrahin qytetarë në rrugë e në mbrëmje japin ligjërata në studio, ulërasin në Kuvend si huliganë dhe shajnë pa fije turpi, dhe të njejtit e “mbrojnë Republikën”, ndërkohë që shpirtin dhe mendjen e kanë të lidhur me Listën Serbe.

PDK – Aderimet e vetë-aderuara

PDK gjithmonë ka ditur të krijojë spektakël politik. “Aderimi” i Ramiz Lladrovcit në PDK u shfaq si një “prurje me vlerë kombëtare”, edhe pse gjatë zgjedhjeve lokale e kishin kryqëzuar, linçuar, përbuzur dhe etiketuar si të padëshirueshëm në PDK dhe jo të denjë për kandidat për kryetarë komune. Tani, papritmas, ai qenka shpëtimi i partisë.

Ndërkohë priten edhe prurje të tjera “historike” në partitë e ish-OPOZITËS: Adem Grabovci nga PDK në PDK, Ukë Rugova nga LDK në LDK dhe disa emra të tjerë që seriozisht pak kush i pret. Aderime që duken si lëvizje të mëdha vetëm për ata që i shpallin; për publikun janë thjesht rikthime në shtëpi, qarkullim ajri brenda së njëjtës dhomë politike.

Në fakt, është bërë një rreth vicioz ku partitë po aderojnë vetveten, sepse duket se nuk ka më kush t’iu vijë nga jashtë. Disa presin befasi, disa përpiqen t’i japin vetes rëndësi, por realiteti mbetet i njëjtë: qarkullim emrash që tashmë i kanë konsumuar të gjitha ngjyrat politike.

Aderimet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në partitë e ish opozitës do ti cilësoja si aderime për ego personale, jo për ide e programe. Ato që po shohim sot janë:

– ego të plagosura,
– individë që s’u bënë dot deputetë,
– të pakënaqur që s’ua plotësoi askush ambicien personale,
– hidhërime të akumuluara,
– mospërfillje,
– inat dhe perinat.

Aderimi sot është thjesht mënyra më e lehtë për të thënë: “Nuk më dhanë atë që desha, prandaj po shkoj në parti tjetër që as vetë nuk e di ç’program ka”.

Dhe megjithatë… VV mbetet fituesja e padiskutueshme e zgjedhjeve te 28 dhjetorit.

– Sepse qytetarët e dinë shumë mirë dallimin mes atyre që kërkojnë pushtet për vete, dhe atij që kërkon pushtet për shtetin.

– Ata e shohin se kush ka punuar realisht, kush ka mbajtur kurrizin e shtetit drejt, kush ka ruajtur sovranitetin, kush ka mbajtur fjalën dhe kush nuk i është përkulur as Beogradit, as korrupsionit, as pazareve të errëta.

– Dhe ata e shohin po aq qartë se kush po mundohet ta rrëzojë Albinin vetëm sepse nuk ua plotësoi ambiciet personale.
Më 28 dhjetor, qytetari do t’ua tregojë vendin të gjithëve.

Sepse ky popull e di shumë mirë një gjë:
Kush e do pushtetin për Kosovën dhe kush e do për vete!