Atmosferë frike dhe tensioni është krijuar në qytetin e vogël të Kosjeriçit ne Serbi, pas vizitës së Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i “Srpska Lista” dhe i kërkuar nga Interpoli për terrorizëm, i njohur si organizatori kryesor i sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Radoiçiq, i cili është subjekt i një aktakuze në Kosovë dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u shfaq të shtunën në qytet i shoqëruar nga një kolonë xhipash të zinj dhe me sigurim të armatosur, çka shkaktoi panik te qytetarët.
Sipas raportimeve të portalit Nova.rs dhe organizatës lokale “Njerëz të pastër për një Kosjeriq të pastër”, ai është parë në disa kafene të qytetit ku është takuar me kryetarin në largim të komunës, Zharko Djokiq, dhe këshilltarin e tij, Dalibor Vujiq. Pamja e tij në publik ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve lokalë, disa prej të cilëve nuk kanë guxuar as të dalin nga lokalet ku ndodheshin.
Më shqetësuesja është se disa qytetarë kanë raportuar për kërcënime të drejtpërdrejta që Radoiçiq i ka bërë ndaj aktivistëve që mbështesin protestat studentore dhe qytetare, të cilat po mbahen prej nëntë muajsh në disa qytete të Serbisë, përfshirë edhe Kosjeriqin.
“**Ai i tha njërit prej pjesëmarrësve që të u tregojë të tjerëve se të shtunën do të marshojnë ata – mbështetësit e SNS-së – dhe se do të jetë edhe vetë prezent. ‘Nuk guxon askujt t’i mungojë një fije floku, sepse ne jemi gati të vdesim për bindjet tona’, ishte mesazhi i tij,” ka rrëfyer një dëshmitar për Nova.rs.
Sipas tyre, Radoiçiq paralajmëroi edhe “pasoja pas protestës”, duke thënë se në rast incidentesh, “do të ketë vizita në shtëpi, sepse kanë të gjitha të dhënat për protestuesit”.
Grupi “Njerëz të pastër për një Kosjeriq të pastër” në Facebook ka publikuar një deklaratë ku thuhet:
“Mjaft më me heshtjen – populli duhet ta dijë të vërtetën! Sot, rreth orës 13:30, qytetin tonë e vizitoi një grup personash të dyshimtë, ardhja e të cilëve krijoi frikë dhe shqetësim serioz. Erdhi me disa xhipa të zinj, i shoqëruar nga sigurimi, dhe u prit nga figura lokale të lidhura me pushtetin.”
Vizita e Radoiçiqit lidhet me organizimin e një kundërproteste ndaj bllokadave, të paralajmëruar për të shtunën në Kosjeriq, e cila thuhet se po organizohet nga mbështetësit e partisë në pushtet, SNS, në bashkëpunim me organizatën e afërt me ta, Qendra për Stabilitet Shoqëror.
Ndërkohë, protestat qytetare e studentore që po mbahen për më shumë se nëntë muaj, kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si dhe ndryshime politike dhe institucionale në Serbi.



Të tjera
12 gabimet e prindërve që do t’u kushtojnë shtrenjtë kur fëmijët të rriten
Milani e siguron një transferim për janar, i do edhe tre të tjerë
Përfitimet e mira nga konsumimi i çajit të luleradhiqes çdo ditë