Rafuna: Nuk jemi kundër daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike, po kërkojmë vetëm fazën e tranzicionit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke filluar nga 1 qershori.

Gjatë një konference për media, Rafuna theksoi se bizneset nuk e kundërshtojnë tregun e lirë, por kërkojnë shtyrjen e zbatimit të vendimit, derisa të krijohen kushtet e duhura dhe tregu të jetë funksional e i përgatitur për një kalim të tillë, transmeton Telegrafi.

“Nëse zbatohet pa tranzicion, do të dëmtojë ekonominë dhe qytetarët. Kërkesa jonë është e thjeshtë – më shumë kohë për përgatitje. Derisa ka mundësi ta gjej edhe një zgjidhje, ta shfrytëzojë edhe këtë kohë, që të kërkojë nga ZRrE të shtyjë vendimin që bizneset tona të mos dalin në tregun e lirë, sepse do të dëmtohen dhe do të ketë efekte të mëdha negative për bizneset, do të ketë efekte negative për ekonominë e vendit, por do të ketë efekte negative edhe për qytetarët. Kërkesa jonë është vetëm që të shtyhet për një kohë, që të përgatitet tregu më mirë, ose të përgatitet mirë, sepse nuk është përgatitur fare, të rritet konkurrenca.  E theksoj edhe një herë, asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë, biznesi po e kërkon vetëm fazën e tranzicionit”, ka theksuar Rafuna.

Ditë më parë bizneset kanë protestuar në Prishtinë.