Rama i sugjeron Kurtit që çështjet me Serbinë t’i adresojë përmes BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Kosova duhet që ta harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Rama këto komente i bëri në Londër, në panelin e Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”, transmeton A2 CNN.

Kryeministri Rama tha se duke vepruar sipas propozimeve të BE-së, Kosova do ja lërë ‘topin në fushë’ Serbisë dhe do të jetë Evropa më pas që do të merret me Beogradin.

Teksa tha se respektonte vendimet e institucioneve të Kosovës, Rama shtoi se Kosova nuk ka asnjë çështje territoriale të pazgjidhur me asnjë shtet tjetër (duke nënkuptuar Serbinë).

“Mendoj se, që të jetë e suksesshme Kosova, duhet ta harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht veprimeve nga Serbia. Kosova të përmbush çdo pikë, dhe pastaj duke ia lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin përpara drejt Evropës, duke lënë Evropën të merret me Serbinë. Dhe jo ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në një çështje fajësimi, megjithatë ky është mendimi im modest. Unë respektoj plotësisht atë çfarë vendosin udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës për popullin dhe vendin e tyre… Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës e askujt tjetër. Territori i Kosovës është i përcaktuar, Kosova është Republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga 5 vende të BE-së. Në këtë drejtim nuk shoh problem”, tha Rama.

Në Londër po qëndron edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.