Rama ia pezullon lejen ekspozitës “M@sakrat në Kosovë”

Rama ia pezullon lejen ekspozitës “M@sakrat në Kosovë”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka pezulluar lejen ekspozitës së hapur në kryeqytet me temën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ekspozitë kjo e realizuar me mbështetje financiare nga Kuvendi i Kosovës.

Arsyeja e pezullimit ka të bëjë me skandalin që është zbuluar se në përshkrimin e masakrës së burgut të Dubravës, ndër të tjera thuhet se prej të vrarëve, 48 të burgosur shqiptarë figurojnë si të armatosur.

“Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojmë lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”.

“Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, shkroi Rama.

Kreu i kryeqytetit tha se “ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës” dhe se për të, “kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Organizatorët e ekspozitës, kanë sqaruar se janë bazuar në të dhënat e Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

Një sqarim e ka dhënë edhe Shkelzen Gashi, i cili ka shkruar se në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë vazhdon të jetë e hapur për publikun ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani.

“Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Laë Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, ka shkruar Gashi.