"Raporti i Dick Martyt, kurthi ku ra edhe Perëndimi"

Raporti i Dick Martyt, kurthi ku ra edhe Perëndimi

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Thaci dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, duke folur drejtpërdrejt nga Haga, ka deklaruar se narrativi mbi trafikimin e organeve, i ngritur pas raportit të Dick Marty, nuk është përmendur gjatë gjithë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si pjesë të një lufte hibride kundër Kosovës.

Sipas Hoxhajt, qëndrimi i institucioneve të Kosovës që nga publikimi i raportit ka qenë i qartë.

“Koha kur është publiku raporti i Dick Martyt, e kemi pas një qëndrim që ai raport nuk është asgjë tjetër, përveç një beteje e luftës hibride, të Rusisë dhe të Serbisë në raport me Kosovën.”

Ai shtoi se vetë krijimi i gjykatës u mbështet në argumentin se pretendimet e raportit duhej të trajtoheshin për të “pastruar” imazhin e Kosovës.

“Kjo Gjykatë është ndërtuar në argumentin politik perëndimor, të partnerëve tanë, që retë e zeza të cilat i ka prodhuar raporti i Dick Martyt do të duhej të largohen prej qiellit të Kosovës.”

Megjithatë, sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit nuk është dëgjuar asnjë provë apo akuzë konkrete për trafikim organesh.

“Sot, nuk dëgjuam asgjë, dhe gjatë këtyre 5 viteve të fundit s’kemi dëgjuar asgjë për trafikimin e orgavene, askush nuk i përmendi.”

Hoxhaj kujtoi se gjithë procesi nisi pas një nisme në Këshillin e Evropës në vitin 2010 dhe u shndërrua në bazë për krijimin e gjykatës.

“Çdo qytetar i Kosovës e di se çfarë është thënë nga dhjetori i 2010, kur një deputet i dumës ruse ka nis një rezolutë në Këshill të Evropës, dhe kjo rezolutë është miratuar. Mbi atë rezolutë është nis rrëfimi që duhet të ketë një gjykatë që i trajton këto pretendime, dhe tash në fund të procesit, për 5 vite të mos dëgjohen ato akuza.”

Në përfundim, ai e cilësoi gjithë çështjen si një fushatë dezinformimi që, sipas tij, ka përfshirë edhe Perëndimin.

“Kjo do të thotë se ka qenë një betejë në të cilën ka rënë në kurth edhe Perëndimi, duhet të thuhet qartë, ka qenë betejë e dezinformimit, ka qenë një betejë e një lufte hibride, në raport për ta goditë Kosovës pasi e kemi fitu Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila gjithashtu është këtu në Hagë.”

Deklaratat u bënë gjatë emisionit Rubikon nga Haga, në kohën kur proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së po afrohen drejt fazës përmbyllëse.