Detaje tr*onditëse nga avokati Niniq: Rasti i Vukashinoviqit lidhet me Banjskë, situata ka dalë jashtë kontrollit

Rasti i Vukashinoviqit lidhet me Banjskë, situata ka dalë jashtë kontrollit

Milan Vukashinoviq ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Nish, nën mbikëqyrjen e policisë, pas një sulmi në rrethana ende të paqarta në fshatin Jelakce, brenda territorit të Kosovës.

Avokati i tij, Ivan Niniq, deklaron se shteti serb po përpiqet të fshehë rastin dhe kërkon përgjigje nga institucionet e Beogradit, të cilat deri tani nuk kanë dhënë sqarime.

Sipas Niniqit, Vukashinoviq është qëlluar nga pjesëtarë të forcave serbe të sigurisë – ndoshta të ushtrisë ose policisë – ndërsa automjeti i tij është gjetur në një zonë të paarritshme të komunës së Leposaviqit.

“Ata e rrëmbyen dhe e çuan në Serbi. Fjala është për një veprim të organizuar nga strukturat serbe të sigurisë,” tha avokati.

Institucionet e Kosovës konfirmojnë se sulmi është kryer nga disa persona të maskuar që kanë hyrë në territorin kosovar dhe më pas e kanë transportuar Vukashinoviqin në Nish. Hetimet mbi ngjarjen janë ende në zhvillim.

Gazetari Andrija Lazareviq thekson se informacionet për rastin janë kontradiktore: ndërkohë që avokati Niniq akuzon strukturat serbe të sigurisë, Policia e Kosovës dhe Agjencia Serbe e Sigurisë (BIA) japin versione të ndryshme për ngjarjen.

Mediat proqeveritare serbe e paraqesin Vukashinoviqin si “spiun të Kosovës”, duke raportuar se BIA ka arrestuar disa persona në zonën e Rashkës për dyshime spiunazhi.

Avokati Niniq e lidh këtë rast me ngjarjet e shtatorit 2023 në Banjskë dhe paralajmëron se situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit.

Ai ka depozituar kallëzim penal kundër personave të panjohur nga ushtria ose policia serbe, si dhe kundër Milan Radoiçiqit, me të cilin Vukashinoviqi kishte pasur përplasje të mëparshme.

Pas publikimit të këtyre informacioneve, Niniq ka marrë kërcënime nga një grup në Telegram të quajtur “Koridor”, që dyshohet të ketë lidhje me BIA-n dhe Milan Radoiçiqin.