Reagimet nga bota pas armëpushimit dyjavor, mirëpritet marrëveshja ShBA-Iran

Reagimet nga bota pas armëpushimit dyjavor, mirëpritet marrëveshja ShBA-Iran

Pas arritjes së marrëveshjes për armëpushimin dyjavor ndërmjet ShBA-së dhe Iranit kanë reaguar disa liderë dhe zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme të botës dhe institucioneve ndërkombëtare.

Këtë marrëveshje e kanë mirëpritur udhëheqësit evropianë, përfshirë përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer.

“Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Starmer.

Gjithashtu, kanë reaguar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e mirërpritur marrëveshjen.

Kurse, kryeministri australian, Anthony Albanese, ka deklaruar se njoftimi ishte lajm pozitiv, duke i thënë Sky Neës Australia se shpreson që ai të çojë në një depërshkallëzim të përhershëm dhe në fund të konfliktit.

Për marrëveshjen SHBA-Iran ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Në një deklaratë nga zëdhënësi i tij, Guterres, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre dhe t’u përmbahen kushteve të marrëveshjes.

Gjithashtu, edhe Iraku, Omani, Egjipti e shtete të tjera e kanë mirëpritur armëpushimin dyjavor, duke përgëzuar Pakistanin për ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe duke e cilësuar atë si hap pozitiv për uljen e tensioneve.