Reagimi i Kadajit ndaj LDK-së: Si mund të mbrohet Lista Serbe e të kritikohet Osmani?

Deputetja e AAK-së dhe ish-ministrja Donika Kadaj Bujupi ka reaguar pas deklaratave të nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në të cilat ajo përmendi presidenten Vjosa Osmani dhe u shpreh pa rezerva në lidhje me Listën Serbe, shkruan KosovaPress.

Kjo e fundit ka deklaruar në emisionin Debat Plus se nuk e ka problem të bahskëpunojë me Listën Serbe, derisa ka fajësuar presidenten e vendit Vjosa Osmani për rënien e LDK-së zgjedhjet e vitit 2021.

“Unë bash hiç problem nuk e kam Listën Serbe, bash hiç, sepse çdo qeveri e ka pjesë përbërëse të saj, bazuar në Kushtetutën e Republikës të Kosovës”, ka thënë ajo.

Të papërgjegjshme këto deklarata i konsideron Donika Kadaj Bujupi, e cila në një postim në Facebook ka thënë se ëshët e dënueshme që një deputete të mos shpreh shqetësim ndaj subjekteve që janë agresive ndaj Kosovës.

Sipas saj, Osmani punon çdo ditë për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Cila është porosia që deputetja në fjalë ka dashur t’u përcjellë qytetarëve me këtë qëndrim? Mbetet të besohet se nuk i ka llogaritur mirë fjalët dhe emocionet, sepse vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me Listën Serbe, por të ketë problem me Presidenten e vendit të vet. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente, logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës që para se të zgjedhet nga Kuvendi mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror”, ka shtuar ajo.