Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së Petar Petkoviqit pas qëndrimit të Listës Serbe lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në objektin e ndërmarrjes “Ibër – Lepenci” afër Ujmanit në Zubin Potok, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fetoshi ka theksuar se ky reagim nuk është asgjë më shumë se një vazhdimësi e propagandës së njohur të Serbisë që synon viktimizimin dhe sabotimin e institucioneve të Kosovës.
“Reagimi i Petkoviqit pas deklaratës së Listës Serbe për aksionin e policisë në objektin e ndërmarrjes ‘Ibër – Lepenci’ afër Ujmanit në Zubin Potok, nuk është vetëm një shpifje e re në ‘korin e kukuvajkave’ të strategjisë së vjetër, por edhe një sulm perfid që keqpërdor Kryqin e Kuq, KFOR-in dhe fëmijët”, shkroi ai.
Fetoshi ka sqaruar më tej se objekti ku është kryer aksioni nuk ka lidhje me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, siç është dokumentuar edhe nga OSBE, duke kërkuar që kjo organizatë të reagojë ndaj keqpërdorimit të saj nga propaganda serbe.
“Megjithëse objekti ‘Dragisa Murganiq’ s’ka lidhje me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar (e ka dokumentuar OSBE) dhe do të ishte me rëndësi që kjo organizatë humanitare ta demantojë instrumentalizimin, Petkoviq vajton ‘fëmijët e kursantët’, me qëllim të nxitjes së reagimeve emocionale, kurse ‘harron’ se ai vetë dhe kriminelë serbë në veri po i keqpërdorin fëmijët për qëllime politike, siç ishte rasti me protestën e inskenuar të nxënësve, para pak ditësh, kundër mbylljes së institucioneve paralele në veri”, shtoi Fetoshi.
Ai ka theksuar se narrativat që përdorin fraza të tilla si “ndërhyrja godet themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë” apo “falangat e Kurtit” janë shembuj të propagandës më të egër, që synojnë demonizimin e institucioneve dhe sabotimin e shtetit të Kosovës.
“Formulime të tilla si ‘ndërhyrja godet themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë’ apo përdorimi i togfjalëshit ‘falangat e Kurtit’, janë trajta më ekstreme të narrativave të njohura të ‘viktimizimit’ dhe ‘persekutimit të serbëve’, që synojnë demonizimin e institucioneve dhe sabotimin e shtetit të Kosovës”, nënvizoi drejtori i Octopusit.
Fetoshi ka paralajmëruar se pas kësaj retorike qëndron një përpjekje për të thelluar ndarjet etnike dhe për të manipuluar komunitetin serb në veri të Kosovës.
“Duke e ashpërsuar tonin, Serbia ‘kujdeset’ që ta thellojë ndarjen etnike në Kosovë dhe të përhapë frikë te serbët, në mënyrë që t’i mobilizojë e manipulojë më lehtë për qëllime hegjemoniste. Zëri i orkestruar i propagandës, që keqpërdorë fëmijë e simbole humanitare për të maskuar aktivitetet kriminale të strukturave paralele, është zëri shurdhues i një lufte që tenton të mashtrojë përmes rolit të ‘viktimës’”, përfundoi Fetoshi.
Të tjera
Pamjet nga protesta në Hagë nuk më pëlqyen, mund të ndikojnë negativisht
Kurti mirëpret të rinjtë rajonalë për dialog dhe bashkëpunim për të ardhmen
Evropiani 2027 Shqipëri – Serbi, ky është veprimi i fundit i UEFA-s