Reagimi i shpejtë i policisë shpëton jetën e një 21-vjeçareje në Ferizaj

Reagimi i shpejtë i policisë shpëton jetën e një 21-vjeçareje në Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 04:30, ka pranuar një informacion nga qytetarët se në një kompleks banesor, në katin e katërt, një vajzë 21-vjeçare po tentonte të hidhej nga ballkoni.

Sipas komunikatës policia thotë se menjëherë pas pranimit të informatës, patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ku fillimisht kanë kontaktuar me dëshmitarët dhe më pas kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit.

“Policia ka tentuar ta qetësojë përmes komunikimit, ndërkohë që njëri prej policëve është ngjitur në banesën ku ndodhej ajo. Për shkak të urgjencës dhe rrezikut të lartë, polici është detyruar të hapë derën me forcë dhe ka ndërhyrë me shpejtësi në ballkon, duke arritur ta kapë dhe ta tërheqë viktimën brenda rrethojave, me ndihmën edhe të një kolegu tjetër”, thuhet në komunikatë.

Sipas informatës zyrtare në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i emergjencës, i cili i ka dhënë ndihmën e parë vajzës, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale.

“Ajo është shoqëruar nga policia dhe stafi mjekësor për trajtim të mëtejmë në emergjencë. Familjarët e saj janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes. Pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ajo është transferuar në Klinikën Universitare të QKUK-së në Prishtinë për kujdes dhe trajtim të mëtejmë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe apelon tek të gjithë që të raportojnë raste të ngjashme, në mënyrë që të parandalohen situatat tragjike. Për procedurat e tjera ligjore, do të njoftoheni me kohë.