Kosova mori një lajm të mirë ditë më parë, pasi Kenia – shtet afrikan – njohu pavarësinë e shtetit tonë, duke u bërë kështu shteti i 118-të që na njeh.
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte i pari që njoftoi për njohjen e vendit nga Kenia, para se presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, të konfirmonte zyrtarisht se ka pranuar njohjen nga homologu i saj kenian, Uilliam Ruto.
“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë”, shkroi Osmani në Facebook.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.
Mirëpo, si shtet me fuqi të konsiderueshme në Afrikën Lindore, njohja e Kosovës nga Kenia shkaktoi edhe reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi.
Ndër të tjera, Ministria e Jashtme e Serbisë tha se e dënon fuqishëm vendimin e Kenias për të njohur pavarësinë e “shpallur në mënyrë të njëanshme nga e ashtuquajtura ‘Kosovë’”.
Në një reagim në ueb-faqen e vet në internet, Ministria e Jashtme serbe tha se ky hap “përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.
Duket se lobimet kundër Kosovës në Kenia, i shkuan ‘huq’ shteti serb, prandaj dhe shprehen mllefin pas kësaj njohje.
Mirëpo, për ‘dështimin’ e Serbisë dhe rëndësinë që ka njohja nga Kenia, folën njohësit e çështjeve politike.
E për këtë temë foli njohësi i çështjeve diplomatike, Amir Shabani.
Së pari, ai e vlerësoi këtë si një sinajl pozitiv dhe hap të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike.
Në këtë rast, përmendi edhe lobimin e Pacollit dhe lidhje që ky i fundit i ka në këtë shtet.
“Në përgjithësi një njohje e re për Kosovën është një hap para drejt marrëdhënieve diplomatike të Prishtinës zyrtare me kacelaritë e ndryshme të botës. Në këtë rast edhe njohja e ardhur nga Kenia është progres për Kosovën, duke qenë se politika e jashtme nuk ka punuar në këtë drejtim, lobimin për të e bëri ish-ministri i jashtëm dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli i cili ka lidhje me shtetin në fjalë dhe jo vetëm”.
Krahas kësaj, Shabani tha se ky është edhe një mesazh për Serbinë dhe diplomacinë e saj.
“Sa i përket dështimit të lobimit të Serbisë është një mesazh se ajo po futet në një vakum diplomatik dhe se marrëdhënia e vetme do t’i mbetet me Rusinë dhe Kinën”, përfundoi Amir Shabani.
Kujtojmë se, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.
Mehazi: Nuk janë të rastësishme reagimet serbe kundër njohjes së Kosovës nga Kenia afrikane
Kurse, profesori Sulejman Mehazi tha se për këtë njohje duhet falënderuar Behgjet Pacollin, që sipas tij është më meritori për këtë njohje.
“Pikësëpari duhet falënderuar, jo Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila gjatë mandatit të saj katërvjeçar nuk solli asnjë njohje të Kosovës nga Afrika, për njohjen e Kosovës nga Kenia duhet falenderuar, Behxhet Pacollin, i cili edhe pse jashtë qeverisë së Kosovës është më meritori për njohjen e Kosovës nga shteti me ndikim në Afrikë, Kenia”.
Krahas kësaj, Mehazi potencoi se Pacolli me këtë njohje e la në hije ministren Gërvalla.
“Duhet thënë hapur se njohja e Kosovës nga shteti mbi 15 milionë banorë të Afrikës lindore, Kenia, është sihariq i politikanit dhe biznesmenit të shquar, Pacollit, i cili bëri punën e Gervallës që si Shefe e Diplomacisë së Kosovës doli shumë e ngathët dhe e dobët ndaj shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, vlerësoi ai.
Ndër të tjera, profesori foli edhe për reagimet e shtetit serb ndaj kësaj njohje, ku tha se kjo vjen pasi Kenia do ia dobësonte ndikimet serbe në shtetet afrikane.
Gjithashtu, tha se Vuçiq ka frikë që tani Kenia ia ka “hapur dyert” shteteve tjera afrikane për ta njohur Kosovën.
“Nuk janë të rastësishme reagimet serbe kundër njohjes së Kosovës nga Kenia afrikane, pasi pika me e fortë diplomatike e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, kundër njohjeve të Kosovës kanë qenë shtetet Afrikane, njohja e Kosovës nga Kenia do ia dobësonte ndikimet serbe në shtetet afrikane.
Frika e presidentit të Serbisë, Vuviqit është, se Republika e Kenias, ka hapur dyert e shteteve të tjera afrikane për ta njohur Kosovën. Kenia kufizohet me Somalinë, Etiopinë, Ugandën Sudanin, Tanzaninë që në mënyrë zinxhirore mund ta njohin pavarësinë e Kosovës” përmbylli Sulejman Mehazi
Të tjera
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon su*lmin iz*raelit ndaj Katarit
Kjo Serbi nuk ka vend në Bashkimin Evropian
Britania shkarkon ambasadorin në SHBA për lidhjet me Epstein