Kjo e enjte ka nisur me replika të forta mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, në sfondin e protestës në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Shkak u bë një deklaratë zyrtare e partisë në pushtet në Kosovë, e cila kritikoi Ramën për rolin e tij në themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, duke e cilësuar qëndrimin e sotëm të Tiranës si hipokrit.
Reagimi i kryeministrit shqiptar erdhi menjëherë, me tone të ashpra ndaj Vetëvendosjes dhe qëndrimeve të saj historike ndaj luftës dhe institucioneve të Kosovës.
Në thelb të përplasjes qëndron mbështetja për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, e zhvilluar të mërkurën në Tiranë, por tensioni është thelluar për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Gjykatës Speciale dhe rolit të UÇK-së në luftën për çlirim.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar,” – thuhet në reagim.
VV thekson se kjo Gjykatë është produkt i një procesi të nxitur jashtë Kosovës, që nisi me një rezolutë të mbështetur nga Rusia në Këshillin e Evropës dhe u konkretizua me raportin e senatorit Dick Marty.
“Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu… por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse… dhe u miratua me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.”
Në vijim, VV kërkon reflektim nga të gjithë ata që dikur mbështetën themelimin e Speciales, duke i cilësuar si të papërgjegjshëm ata që sot pozicionohen në mbështetje të UÇK-së, por që në të kaluarën sipas saj kontribuan në ngritjen e kësaj Gjykate.
Emri që përmendet drejtpërdrejt është ai i kryeministrit Edi Rama, për të cilin Vetëvendosje thotë se “erdhi me helikopter në Kosovë për të bërë presion për votimin e Gjykatës.”
Rama kundërpërgjigjet: VV s’e njihte as himnin, Thaçin e donit në Hagë
Reagimi i kryeministrit shqiptar erdhi me tone të forta. Ai ironizoi deklaratën e Vetëvendosjes, duke e quajtur një “çarçaf të gjatë”, dhe theksoi se qëndrimi i tij ndaj proceseve në Hagë ka qenë i qartë dhe publik.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë… ndërsa unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo.”
Rama i kujtoi VV-së qëndrimet e saj të dikurshme ndaj simboleve të shtetit të Kosovës dhe ndaj figurës së Thaçit.
“Kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë.”
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk ka qenë organizator apo folës në protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet atë me gjithë zemër. Megjithatë, ai nuk mori pjesë për të mos e politizuar ngjarjen.
Rama gjithashtu theksoi se Gjykata Speciale nuk u ngrit për të dënuar luftën, por për të hetuar akuza të rënda si trafikimi i organeve, duke iu referuar raportit që shërbeu si bazë për krijimin e saj.
“Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.”
Të tjera
Gënjeshtrat që gratë e martuara ua thonë burrave
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit