Rexhepi refuzon takimin me ministrin Demo Berisha: Jo spektakle politike

Rexhepi refuzon takimin me ministrin Demo Berisha: Jo spektakle politike

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka refuzuar takimin e planifikuar me ministrin Demo Berisha, duke e konsideruar atë si një përpjekje për spektakël politik pa rezultate konkrete për komunitetin shqiptar në Serbi.

Rexhepi theksoi se institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Serbi nuk mund të shfrytëzohet për takime boshe dhe reklama mediatike, ndërkohë që problemet reale të qytetarëve mbeten të pazgjidhura. Vendimi, sipas tij, është komunikuar edhe korit diplomatik.

Në deklaratën e tij, Kryetari i KKSH-së renditi disa çështje kryesore: “Fondet për trashëgiminë agrokulturore janë të bllokuara prej muajsh, duke lënë mbi 900 fermerë shqiptarë pa mbështetjen e fituar me meritë; Plani për Integrimin e Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023–2026), sipas tij, po shkon drejt dështimit të plotë, pa asnjë hap konkret nga ministria”.

Ministri, siç u shpreh Rexhepi, ka përdorur gjuhë kriminalizuese ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit më të lartë përfaqësues të shqiptarëve në Serbi.

“Mjaft me spektakle, shqiptarët e Luginës presin veprime dhe rezultate!”, përfundoi Rexhepi.

Mbështetje Rexhepit i ka dhënë dhe kryetari i PVD-së dhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.

“Si i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, kam theksuar edhe në debatin parlamentar se kandidati për ministër për pakicat përfaqëson një nga zgjidhjet më të diskutueshme kadrovike. Kam nënvizuar se emërimi i tij ngjall shqetësim jo vetëm për shkak të së kaluarës së tij politike, por edhe për shkak të mesazhit që jep: se lojaliteti ndaj regjimit vlerësohet më shumë sesa profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia politike”, thotë Kamberi për Demo Berishën e qeverisë serbe.