Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas miratimit të Rezolutës për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si të pjesshme dhe selektive.
Në reagimin e saj, LDK thekson se Kuvendi ka “detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë”, e jo përmes rezolutave që, sipas saj, nuk adresojnë të gjitha dimensionet e çështjes.
LDK ka shprehur mbështetje të fuqishme për parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, duke e konsideruar këtë si vlerë themelore të shtetit ligjor dhe të orientimit euro-atlantik të vendit.
Megjithatë, sipas këtij subjekti politik, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar.
“Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj”, thuhet në reagim.
Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kishin kërkuar që Rezoluta të përfshinte qartë edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike.
Sipas LDK-së, mos përfshirja e kësaj kërkese e bën Rezolutën të paplotë në përmbajtje dhe të mangët në mesazh.
Në këto rrethana, Grupi Parlamentar i LDK-së ka deklaruar se nuk mund të legjitimojë një qasje që e konsideron të njëanshme ndaj drejtësisë.
Në fund, LDK ka ritheksuar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të drejta dhe të paanshme, si dhe një shtet që përballet me të vërtetën në mënyrë të plotë dhe pa selektivitet.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Derisa LDK nuk mori pjesë, rezoluta kaloi me 90 vota për, një kundër nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci dhe asnjë abstenim.



Të tjera
Kurti arrin në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Tudor i gatshëm ta marrë Tottenhamin përkohësisht
Gucati: Mos votimi i rezolutës për Gjykatën Speciale le të mbetet në ndërgjegjen e LDK-së