Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se ka dorëzuar një rezolutë për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kamberi ka thënë se qëlimi i kësaj rezolute, është që Kuvendi i Serbisë ta njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.
Përmes kësaj Rezolute, bëhet thirrje për:
Zbatimin e Marrëvëshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013,
Zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore,
Përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike,
Që organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes,
Krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare.
“Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezulatatet e premtuara, propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginëne Preshevës të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, si pjesë e përpjekjeve për paqe të qëndrueshëme”, deklaroi ai.
Miratimi i kësaj Rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian.
Analisti politik nga Kosova Lindore, Nehat Hyseni, ka përkrahur rezolutën e paraqitur nga deputeti Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë, duke e cilësuar si një përpjekje për të denoncuar diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit.

Ai thekson problemet serioze si mosnjohja e diplomave nga Kosova, pasivizimi i adresave dhe përjashtimi nga tregu i punës, që po detyrojnë të rinjtë shqiptarë të braktisin vendlindjen. Hyseni nënvizon se, megjithëse reagimet ndërkombëtare kanë qenë të vakëta, ka shenja se Serbia mund të përballet me masa ndëshkuese nëse vazhdon me politikat diskriminuese.
“Qëlimi i rezolutës së paraqitur nga deputeti i vetëm shqiptar Shaip Kamberi, nga gjithsej 250 deputetë në Kuvendin e Serbisë, është që ky Kuvend të pranojë botërisht veprimet diskriminuese të regjimit aktual të presidentit të saj diktatorial, Aleksandar Vuçiq, ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke i diskriminuar ata skajshmërisht.
Sidomos është problematike çështja e mospranimit të diplomave nga universitetet e Kosovës, që realisht pamundëson punësimin e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe kudo në Serbi. Kështu, rinia shqiptare detyrohet të punësohet në Kosovë, Shqipëri dhe në Europë, për të siguruar kafshatën e gojës për veti dhe për familjet e tyre, duke i lënë vendlindjen e tyre në duar të pleqëve.
Gjithashtu, problem të madh paraqet edhe i ashtuquajturi procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarve, sidomos të atyre të mërgatës dhe të punësuarve në Kosovë.
Janë bërë shumë përpjekje, angazhime, organizime të protestave dhe veprime të shqiptarve të Luginës për ta senzibilizuar opinionin dhe institucionet relevante ndërkombëtare, në rend të parë të BE-së dhe SHBA-së.
Përkundër faktit se ndoshta reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të plogështa dhe tolerante ndaj Serbisë dhe regjimit shovinist të Vuçiqit, megjithatë, ka reagime premtuese se Serbia mund të ndëshkohet dhe të detyrohet të ndërroi sjelljet e deritanishme arrogante dhe të dhunshme ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve serbë atje, që po instrumentalizohen dhe keqpërdoren nga regjimi aktual i Serbisë, duke pamundësuar integrimin e tyre si qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës”, thotë ai.
Hyseni thekson se shqiptarët e Luginës së Preshevës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, veçanërisht në institucionet e BE-së.
Ai përmend letrën e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila konfirmon se BE është duke e ndjekur nga afër trajtimin e pakicave në Serbi, duke e lidhur këtë çështje me Kapitullin 23 të negociatave për anëtarësim.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje dhe interesim gjithënjë e më të madh ndërkombëtar, sidomos është në institucionet e Brukselit. Kjo dëshmohet edhe me letrën e zonjës Marta Kos, Komisionere e Bashkimit evropian për zgjerim, të dërguar, siguron se BE po e përcjellë nga afër trajtimin e pakicave dhe pozitën e tyre në Serbi dhe konfirmon se Kapitulli i 23 është i rëndësishëm për rrugëtimin e Serbisë drejtë BE-së.
Jemi të vetëdijshëm për realitetin e hidhur se kjo rezolutë e deputetit Shaip Kamberi, nuk ka gjasa reale të miratohet në Parlamentin e Serbisë, ashtu si edhe Rezoluta për viktimat e Srebrenicës, të paraqitur më 10 korrik 2024. Por, megjithatë, kjo rezolutë, si dhe ajo për Srebrenicën, kanë rëndësi të madhe për faktin se e senzibilizojnë dhe riinformojnë edhe njëherë, madje fuqishëm, opinionin vendor e ndërkombëtar për gjendjen alarmante të diskriminimit dhe dëbimit institutional të shqiptarve nga Serbia.
Shpresdhënës është edhe fakti se Presidenti Donald Tramp ka paralajmëruar tarifa 35% për mallrat nga Serbia, si dhe kërcnimin direkt se do të pasojnë masa të tjera ndëshkuese, poqese Serbia sillet në mënyrë jo të përshtatshme” – përfundon ai
Të tjera
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli
Baraliu kërkon trajtim serioz të fakteve për Listën Serbe