Gërvalla: Nuk e zbatojmë variantin e BE-së për Asociacionin nëse Beogradi nuk zbaton marrëveshjen e Brukselit

Rezultati i 28 dhjetorit ishte verdikt i qartë i qytetarëve për të shmangur bllokadat dhe vonesat

Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk ka qenë aspak befasues për të, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë kërkuar një verdikt të qartë pas një viti të vështirë politik.

E ftuar në emisionin “Politiko”, Gërvalla u shpreh se gjatë vitit 2025 kanë ndodhur zhvillime që, sipas saj, kanë qenë të pabesueshme edhe për imagjinatën e saj, por që megjithatë janë tejkaluar.

“Unë nuk jam e befasuar nga rezultati i 28 dhjetorit sepse e kam pasur të qartë se qytetari do të kërkojë verdikt të qartë, me qëllim që të mos kemi më vonesa të tjera, të mos kemi më bllokada të panevojshme, të mos kemi frenim të proceseve sepse vërtet nuk kemi kohë për të humbur” tha ajo në Politiko.

Gërvalla vlerësoi se qytetarët nuk e kanë parë me simpati vitin 2025 dhe kanë shprehur qartë dëshirën që viti 2026 të jetë ndryshe, me më shumë stabilitet dhe funksionim institucional.

Sipas saj, rezultati zgjedhor është një mesazh i drejtpërdrejtë për vazhdimin e proceseve pa pengesa dhe për përgjegjësi më të madhe politike në vitin që kemi filluar.