“Rikthimi i Listës Serbe në veri të Kosovës: Impakti i rënies së votave dhe tensioneve politike”

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – shënuan një kthesë politike. Pas më shumë se një viti në të cilin këto komuna udhëhiqeshin nga kryetarë shqiptarë, si pasojë e bojkotit të Listës Serbe në vitin 2023, kjo parti është rikthyer sërish në pushtet.

Megjithatë, ndonëse fitorja e Listës Serbe u duk e sigurt, rezultatet tregojnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, sinjal ky që nuk mund të injorohet.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Mitrovicën e Veriut – bastioni më i rëndësishëm politik i Listës Serbe – kjo parti fitoi vetëm 60% të votave, një rënie e konsiderueshme nga 91% sa kishte marrë katër vjet më parë. Për më tepër, në këtë komunë, votuesit serbë këtë herë patën mundësinë të zgjedhin mes shtatë kandidatëve serbë, një risi që tregon për një pluralizëm në rritje brenda komunitetit serb, por që njëkohësisht sfidon dominimin tradicional të Listës Serbe.

Kurse, në Kllokot, ndërkohë, gara do të shkojë në balotazh – një tjetër zhvillim që jep shenja dobësim të ndikimit të kësaj partie edhe në komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Në këtë sfond, ngritja e pyetjes “çfarë do të thotë kjo për sigurinë në veri të Kosovës?” bëhet më se e natyrshme. A është kjo një fitore që shënon rikthimin e kontrollit, apo një ogur për tensione të reja, sidomos duke pasur parasysh përçarjet e brendshme që po dalin brenda vetë komunitetit serb në Kosovë?

Shenja të një mbështetjeje në rënie janë më të dukshme se kurrë më parë. Kjo krijon një situatë të re në veri të Kosovës, ku kemi një Lista Serbe ende dominuese, por më e brishtë politikisht, më e sfiduar brenda komunitetit të vet, dhe përballë një ambienti institucional dhe shoqëror që ka ndryshuar ndjeshëm pas ngjarjeve të dy viteve të fundit.

E në lidhje me atë se si mund të ndikojë në aspektin e sigurisë, ky rikthim i LS-së në komunat veriore të Kosovës folën ekspertët e sigurisë.

Dashevci: Organet tona të sigurisë janë atje, kanë kapacitete të plota për veprim

Fillimisht, ai tha se Lista Serbe u rikthye në pushtet në komunat veriore të Kosovës, pas presionit që ushtruan ndaj serbëve atje.

“Lista Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit fitoi me presion ndaj qytetarëve të komunitetit serb mendoj unë, ku në formë të organizuar votuan dhe pastaj fituan në katër komunat veriore të Kosovës, kështu që u rikthye në pushtet sërish, pasi këto komuna së fundi u udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë”.

Mirëpo, Dashevci nuk pret që kjo të ndikojë në aspektin e sigurisë, pasi flamuri i Kosovës atje do mbetet ende dhe se institucionet tona do kujdesen për sigurinë atje.

Image
Arben Dashevci

Ndër të tjera, eksperti nuk e mohoi mundësinë që Lista Serbe do tentojë të rris tension dhe të provokojë, por se tha që çdo rrezik do e ndalin organet tona të drejtësisë.

“Rrezikun që Lista Serbe pas rikthimit në pushtet që të tentojë të nxisë ndonjë provokim dhe tensione në këto komuna ose çfarëdo rreziku nëse paraqitet çdokund e ndalin institucionet tona të sigurisë. Ashtu siç e kanë ndalur edhe më përpara me sukses”, përfundoi Arben Dashevci.

Gecaj: Fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, zhvillim me peshë të madhe politike dhe të sigurisë

Kurse, eksperti tjetër, Hysen Gecaj, fitoren e Listës Serbe e cilësoi si një zhvillim me peshë të madhe për sigurinë.

Ai në bashkëbisedimin e tij me.

“Fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në katër komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – është një zhvillim me peshë të madhe politike dhe të sigurisë. Kjo fitore përbën rikthim të pushtetit të saj lokal, pasi në zgjedhjet paraprake (2023), për shkak të bojkotit serb, pushtetin në këto komuna e morën kandidatët shqiptarë me pjesëmarrje shumë të ulët të votuesve serbë”, shtjelloi eksperti.

Image

Hysen Gecaj

Gjithashtu, Gecaj përmendi disa aspekte që mund të ndikojë Lista Serbe, pas fitoreve në komunat veriore të Kosovës.

Në këtë pikë, përmendi edhe rikthimin e ndikimit direkt të Beogradit.

“Ky rikthim i Listës Serbe ka disa implikime të mundshme:

1. Legjitimitet më i madh institucional në sytë e komunitetit serb

• Fitorja e tanishme erdhi në një proces zgjedhor me pjesëmarrje më të lartë të komunitetit serb, krahasuar me zgjedhjet e 2023-ës.

• Kjo e rrit legjitimitetin e kryetarëve të rinj në sytë e popullatës vendore dhe mund të ndihmojë në qetësimin e pakënaqësive lokale.

2. Rikthimi i ndikimit direkt të Beogradit

• Lista Serbe është e lidhur ngushtë me Qeverinë e Serbisë dhe shpesh vepron sipas agjendave të saj.

• Rikthimi në pushtet i kësaj partie në komunat veriore mund të nënkuptojë forcim të ndikimit politik dhe institucional të Beogradit në territorin e Kosovës, përmes mjeteve legale”, potencoi ai.

Tutje, eksperti komentoi edhe ndikimin që mund ta ketë në çështjet e sigurisë dhe rrezikun e tensioneve të reja.

“3. Rreziku i tensioneve – i moderuar, por real

• Ka rrezik potencial që Lista Serbe të përdorë pozicionin e saj për të sfiduar autoritetin e institucioneve të Kosovës, veçanërisht nëse udhëzimet vijnë nga Beogradi.

• Megjithatë, duke qenë se fituan në një proces të organizuar nga KQZ dhe nën mbikëqyrjen e institucioneve kosovare dhe ndërkombëtare, Lista Serbe mund të përpiqet të veprojë më shumë përmes institucioneve sesa përmes veprimeve të dhunshme apo provokimeve të drejtpërdrejta.

4. Çështja e sigurisë

• Rreziku më i madh i përshkallëzimit vjen në rast të ndonjë vendimi politik nga Qeveria e Kosovës që perceptohet si provokues, apo në rast të ndonjë aksioni të Policisë që shihet si ndërhyrje.

• Për të ruajtur qetësinë, do të kërkohet përfshirje aktive e faktorit ndërkombëtar (sidomos KFOR-it dhe EULEX-it) si garantues të sigurisë.

• Është e mundur që Lista Serbe të kërkojë kompetenca më të mëdha për vetëqeverisje, ndoshta duke e rikthyer çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në fokus”.

Në fund, ai u shpreh se fitorja e LS-së shton sfida serioze për qeverisje, por jodomosdoshmërisht është kërcënim i menjëhershëm për sigurinë.

“Fitorja e Listës Serbe nuk është domosdoshmërisht kërcënim i menjëhershëm për sigurinë, por shtron sfida serioze për qeverisjen dhe integrimin e plotë të veriut në kuadër të institucioneve të Kosovës. Në këtë fazë, qasja e kujdesshme, komunikimi diplomatik, dhe prania ndërkombëtare janë thelbësore për të parandaluar tensionet dhe për të ruajtur stabilitetin”, përmbylli Hysen Gecaj