Mbretëria e Bashkuar: Rishikimi i UNMIK-ut është pritur shumë gjatë

Rishikimi i UNMIK-ut është pritur shumë gjatë

Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja e Britanisë, Jennifer MacNaughtan, tha Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.

Ajo foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë. “Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë ajo.

Diplomatja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi mbajtjen e qetë dhe demokratike të procesit zgjedhor lokal.

Ajo tha se rishikimi strategjik i UNMIK-ut është pritur shumë gjatë.