Rrëfimi që shkatërroi heshtjen 26-vjeçare – vitin kur të mbijetuarit folën

Viti 2025 shënoi një kthesë të rëndësishme për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë.

Një burrë rreth të pesëdhjetave nga Drenasi rrëfeu për herë të parë publikisht për dhunimin seksual.

Ramadan Nishori, i cili mbajti të heshtur për më shumë se 26 vjet gjithë tmerrin e përjetuar, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, më 14 prill, rrëfeu të gjithë ngjarjen para shoqërisë kosovare.

Pas daljes publike, ai thotë për KosovaPress, se ndjehet më i lirë shpirtërisht dhe se nuk e kishte pritur asnjëherë këtë përkrahje të qytetarëve.

Nishori: Unë kam menduar t’i bëjë keq vetës, ndihma psikologjike është shpëtim

“Nuk është e thënë që çdo i mbijetuar, se për me dalë publikisht janë disa shkallë pak më, duhet me kaluar nëpër të. Edhe kështu që nuk është puna veç me dalë me fol publikisht. Jo. Le të vijnë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë më së pari. Ajo është shpëtimi. Siç e kam cekur disa herë unë shumë herë para se me ardh në organizatë kam menduar me i bë keq vetvetes. E tash e di, unë qysh çfarë heqin ata njerëz. Se unë kam kaluar nëpër atë”, rrëfen Nishori.

Jeta e tij pas 14 prillit të vitit të kaluar ka ndryshuar shumë.

Burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual thotë se po ta dinte se do ta merrte këtë përkrahje, do të fliste shumë më herët.

“Po, prej 14 prillit është, të drejtën me thënë, unë jam më i lirë kështu shpirtërisht. Kur shoh çfarë përkrahje po më dhënë të gjithë, si në rrugë tash sot, me ndal një njeri në rrugë me thotë a ka mundësi me pi një kafe me ty, është një respekt shumë i madh. Me pas ditë, me të vërtetë, me pas ditë që e kam këtë përkrahje kështu, më herët kisha dalë. Se ndihem një njeri shumë më i çliruar”, shton ai.

Dani, siç e thërrasin rrethi e familja, thotë se përkrahja nga të tjerët është vendimtare që të mbijetuarit të thyejnë heshtjen.

Nishori: Të mbijetuarit le të kërkojnë ndihmë, kjo është shpëtim për ta

Rrëfimi publik i Ramadan Nishorit, ka thyer edhe një tabu tjetër thotë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti. Ajo thotë se pas rrëfimit të tij, ka pasur shumë burra që për herë të parë janë paraqitur në organizatë.

Rushiti: Historia e Danit e ka thyer edhe një tabu tjetër

“Historia e Danit e ka thyer edhe një tabu tjetër. Ka treguar që edhe burrat mund të afektohen nga dhuna seksuale gjatë luftës. Guximi i tij, që ai përmes stories së tij ka arritur të dëshmojë edhe të çojë mesazhe pozitive edhe për t’i ftuar burrat edhe gratë e tjera të aplikojnë, ka nxitur më pastaj në, jo vetëm në organizatën tonë, por edhe në organizata të tjera, që me ardhë edhe gra, edhe burra, edhe të kërkojnë edhe shërbime, por edhe të drejtat e tyre, kështu që ne mendojmë që historia dhe guximi i Danit e ka sfiduar edhe njëherë e mirë i ka dhënë fund tabusë në relacion me burrat e afektuar nga dhuna seksuale e luftës”, thotë Rushiti.

“Këtë vit Komisioni ka shqyrtuar 270 raste duke përfshirë rastet e reja, rishqyrtimet dhe kërkesat tjera. Në proces janë 39 aplikacione. Ndërsa që nga fillimi i procesit me 05.02.2018 e deri më sot kemi pranuar gjithsej 2396 aplikacione, nga to i’u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës1884 aplikuesve (1776 femrave dhe 108 meshkujve)”, thuhet në përgjigje.

Vitin e kaluar e konsideron të drejtësisë, drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti. Ajo tregon se kanë punuar me numër të madh të grave që të përgatiten për të dhënë dëshmitë e tyre për tmerret që kanë përjetuar.

Rushiti: 58 vjet dënime për personat që kanë qenë të përfshirë në krime të dhunës seksuale

“Me dënimet e mëhershme, kemi arritur 58 vjet dënime për persona që kanë qenë të përfshirë në krime të dhunës seksuale të luftës, por për më shumë janë edhe 12 aktakuza të ngritura, të cilat janë në proces e sipër, dhe për secilin rast, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me një ekip profesional, që ka një qasje të integruar në aspektin psiko-social dhe juridik, ka punuar edhe po punon që rastet me arrit, të dëshmojnë të vërtetën e tyre, pavarësisht se jemi 26 vjet pas luftës. Mos harrojmë se këto gra kanë edhe pasoja, edhe aspekti neurobiologjik i traumës i bën që atë mozaikun komplet të traumës me pas vështirë ta dëshmojnë, kështu që po punojmë që këto të dëshmojnë suksesshëm edhe me arrit me marrë drejtësi”, shprehet ajo.

Rastet të cilat janë paraqitur për herë të parë gjatë vitit të kaluar, Rushiti shton se për shkak të heshtjes kanë pasoja të rënda shëndetësore.

Rushiti: Rastet që janë paraqitur vitin e kaluar kanë qenë të komplikuara

“Dua të them që këtë vit, vitin që shkoi kemi pasur raste të cilat kanë ardhur, po dallojnë dukshëm prej rasteve të cilat janë trajtuar më herët. Këto gra dhe këta burra, për shkak se e kanë internalizuar dhimbjen, heshtjen e tyre për vite me radhë. Ajo pastaj ka bërë probleme tjera organike. Kanë ardhur me çrregullime gastrointestinale, kanë ardhur me çrregullime të tensionit, hormonale, dhimbje koke, domethënë, ai somatizim që ndër vite nuk është trajtuar, nuk kanë arritur ata kërkund me shkarkuar dhimbjen e tyre në formë profesionale, pastaj ka lënë pasoja shëndetësore, çka na vjen keq po rastet që po vijnë, domethënë, janë raste më të komplikuara karshi atyre që kanë marrë trajtime më afatgjata dhe që kanë ardhur në fazat e hershme të traumës së tyre”, përfundon ajo.

Gruaja e parë që ndau rrëfimin e saj për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka qenë Vasfije Krasniqi Goodman. Më pas, Shyrete Tahiri Sulimani ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë. Ndërkaq, aplikimi për njohjen e statusit ka filluar në vitin 2018.