Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se të shtunën kanë marrë informacione se një qytetar serb dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
E në këtë ngjarje, pretendon se ishte dëshmitar edhe ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili për “Betimi për Drejtësi“, ka rrëfyer se si sipas tij ndodhi ngjarja, duke thënë se qytetarin Milan Vukashinoviq e rrëmbeu dhe plagosi grupi i Milan Radoiçiq.
Ai pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi kur Vukashinoviq ka shkuar për të blerë mjaltë nga një person i punësuar në Ushtrinë e Serbisë. Tha se Vukashinoviq është pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërkaq sipas tij, vitin e kaluar Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë.
Sipas tij, më 1 nëntor rreth orës 12:00, Vukashinoviq ndodhej me makinën e tij në fshatin Jelakce dhe në vendin e quajtur Lokvica, që ndodhet në Kosovë, por afër kufirit me Serbinë, ai kishte shkuar të blinte mjaltë nga një person me emrin Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.
Sipas tij, Milan Vukashinoviq nuk është ndalur por ka vazhduar të voziste.
“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka thënë ai.
Tutje, sipas Radomiroviq, pas ngjarjes tragjike, grupi terrorist e transportoi Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes. Tha se me duart e lidhura dhe nga ambulanca, ai ka arrtiur të telefononte nënën e tij dhe t’i thoshte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe se po e çonin në Spitalin e Nishit.
“Më 02.11, përmes miqve nga Nishi, mësova se Milani ishte në gjendje të rëndë, se i ishte hequr një veshkë, mbështjellësi i zemrës (perikardi) dhe se kishte plumb në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, nga miqtë kam mësuar se Radoiçiq ndodhej në Kosovë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer me emrin Sedlar”, ka shtuar ai.
“Milan Vukashinoviq u dërgua në Spitalin e Nishit, ku e priti drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq. Zoran Perishiq ndaloi personelin mjekësor të jepte çdo informacion për gjendjen shëndetësore të Milan Vukashinoviqit, të plagosur dhe të rrëmbyer”, u shpeh ai.
“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.
Radomiroviq thotë se ky dhe Vukashinoviqi janë pjesë e partisë Novo Lice Narodna Pravda.
Ndryshe, gjatë ditës, Policia e Kosovës doli me njoftim rreth rastit, duke thënë se dyshohet që rasti ka ndodhur në afërsi të zonës së Leposaviqit, mes kufirit të Kosovës me Serbinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Nga dëshmitarët, Policia është njoftuar se qytetari ishte plagosur dhe rrëmbyer nga disa persona të maskuar, dhe më pas me një autoambulancë është dërguar drejt Nishit.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë”, njofton Policia.



Të tjera
Pse tradhtojnë femrat? Këto janë arsyet më të shpeshta
Me huanë e reparacioneve për Ukrainën, BE sfidon Putinin dhe Trump-in
Shqipëri, 60% e pagesave do të jenë digjitale deri në 2030