Rrezik lufte? Eksperti i sigurisë jep alarm: Jemi një hap larg një përshkallëzimi të rrezikshëm në Evropë

Mëngjesin e së të mërkurës, Polonia ka njoftuar se kishte ngritur në ajër avionët luftarakë dhe se ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë, të cilët kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore.

Dronet ranë në zona të banuara në lindje të vendit, duke shkaktuar dëme materiale.

Nga Polonia këtë akt e quajtën akt agresioni, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk kishte shkruar se rrëzimi i dronëve që u futën në hapësirën e tyre ajrore përbën kërcënim.

Akti u dënua edhe nga udhëheqësitevropianë të cilët këtë akt e cilësuan si një provokim të qëllimshëm nga ana e Rusisë.

Pas këtij incidenti, të premten në një sesion urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA dhe vendet evropiane shprehën mbështetje të plotë për Poloninë.

Ambasadorja në detyrë e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, theksoi se SHBA do të mbrojë “çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Sekretari i Shtetit i Polonisë, Marcin Bosacki, prezantoi para OKB-së foto të njërit prej dronëve të rrëzuar dhe dëmeve të shkaktuara, duke thënë: “E dimë që nuk ishte një gabim.”

Holanda, Republika Çeke dhe Lituania kanë premtuar gjithashtu përforcime ushtarake në rajon. Gjermania tha se do të intensifikojë më tej angazhimin përgjatë kufirit lindor të NATO-s dhe do të zgjerojë misionet e saj të policimit ajror mbi Poloni.

Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë konfirmuar pjesëmarrjen në një mision të ri për të forcuar mbrojtjen ajrore të NATO-s në Lindje. Danimarka do të dërgojë dy avionë F-16 dhe një anije luftarake, ndërsa Franca do të kontribuojë me tre avionë Rafale dhe Gjermania me katër Eurofighter. Britania e Madhe ka njoftuar gjithashtu mbështetje të plotë, me detaje që priten së shpejti.

Incident i rrezikshëm dhe provokim, cilësohet rrëzimi i dronëve rusë në hapësirën ajrore në Poloni, edhe nga eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Softa në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se NATO u tregua e kujdesshme dhe se e trajtoi ngjarjen përmes mekanizmave të konsultimit mes anëtarëve të saj.

“Hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë është një incident i rrezikshëm, sepse cenon sovranitetin e një vendi anëtar të NATO-s. Në raste të tilla, çdo shkelje e hapësirës ajrore konsiderohet provokim. Rreziku i përshkallëzimit ekziston gjithmonë, veçanërisht nëse një incident do të shkaktonte viktima, si rasti në vitin 2022.

NATO është e kujdesshme; goditi dhe asgjësoi dronët, por duke e trajtuar ngjarjen përmes mekanizmave të konsultimit mes anëtarëve të saj, pa e konsideruar menjëherë si një konflikt të hapur”, deklaron Softa.

Image

Fatjon Softa

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, janë shënuar disa incidente me dronë rusë që kanë depërtuar në hapësirat ajrore të vendeve kufitare me Ukrainën, si Polonia dhe Rumania. Megjithatë, deri më tani, këto incidente nuk kishin përfunduar me rrëzimin e dronëve apo me pasoja të rënda.

Një nga momentet më të tensionuara ndodhi në nëntor të vitit 2022, kur një raketë e prodhimit rus goditi një fshat në territorin polak, duke shkaktuar vdekjen e dy civilëve. Ngjarja provokoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet polake dhe alarm në radhët e NATO-s.

Fillimisht, u mendua se ishte një sulm direkt nga Rusia ndaj një vendi anëtar të Aleancës, por hetimet zbuluan më vonë se raketa ishte e llojit kundërajror, e lëshuar nga Ukraina me qëllim për të ndaluar një sulm rus, dhe se ajo kishte devijuar aksidentalisht nga kursi i saj.

Pas sqarimit të rrethanave, NATO vendosi të mos e trajtojë incidentin si një akt agresioni nga Rusia, dhe tensioni u zbut. Megjithatë, rasti mbetet një shembull i qartë i rrezikut që sjellin incidentet në kufijtë lindorë të Aleancës, në një kohë kur çdo devijim teknik apo gabim mund të ketë pasoja të mëdha politike e ushtarake.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se ngjarja e 2022 ishte e rrezikshme, por nëse sot do të ndodhte do të ishte edhe më shumë e rrezikshme.

Por, sipas tij, NATO është në gatishmëri të lartë për mbrojtje të çdo centimetri.

Ai shton se mesazhi i kësaj është se siguria kolektive e NATO-s funksionon, por jetojmë në një mjedis shumë delikat, ku një gabim apo një provokim i qëllimshëm mund të shkaktojë një përshkallëzim të rrezikshëm me pasoja të paimagjinueshme

“Ngjarja në nëntor të vitit 2022, kur një raketë ruse ra në një fshat polak dhe vrau dy persona, u hetua dhe nuk u vërtetua zyrtarisht që ishin dronë sulmues rusë, por pajisje mbrojtëse të Ukrainës që kishin sulmuar dronë rusë.

Ngjarja në fshatin Przeëodóë ishte një moment shumë i rrezikshëm; për pak mund të shkaktonte një reagim të menjëhershëm të Aleancës ushtarake. Sot, një situatë e tillë është shumë më e rrezikshme nëse mund të ndodhë. NATO është në gatishmëri të lartë dhe ka deklaruar se do të mbrojë çdo centimetër të hapësirës kolektive.

NATO (Gjermania në veçanti) do të forcojë me kapacitete mbrojtëse patrullimet ajrore, sistemet antiraketore të avancuara, si dhe Polonia dhe Ukraina do të shkëmbejnë përvoja mes ushtrive respektive, në veçanti për luftën ndaj dronëve që përdor Rusia. Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë për shkak të manovrave ruso-bjelloruse. Çfarë mesazhi përcjell kjo?

Polonia po tregon fuqinë dhe seriozitetin e saj si një shtet anëtar i NATO-s. Ajo nuk i trembet presioneve të Putinit dhe po tregon se çdo manovër ushtarake pranë kufijve të NATO-s është një kërcënim serioz dhe i patolerueshëm.

Shtetet fqinje duhet të jenë të përgatitura për tensione të zgjatura, rritje të pranisë ushtarake dhe kontrolle më të forta kufitare. Kjo është një periudhë turbulence, ku çdo incident, sado i vogël, mund të prodhojë pasoja të mëdha. Mesazhi kryesor është se siguria kolektive e NATO-s funksionon, por jetojmë në një mjedis shumë delikat, ku një gabim apo një provokim i qëllimshëm mund të shkaktojë një përshkallëzim të rrezikshëm me pasoja të paimagjinueshme”, përfundon Softa. /NE