​Rriten çmimet e mallrave në bujqësi

Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të mallrave bujqësore shënon një rritje të lehtë në Tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, raporton KosovaPress.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i mallrave të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 0,1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Në TM1 2025, indeksi i Input1 ka rënie për 2,5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Kurse, Indeksi i Input 2 ka rritje për 3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Produktet që e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, sipas ASK-së çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës).