Numri i gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 246, transmeton Anadolu.
Zyra për media e qeverisë palestineze në Gaza bëri një deklaratë me shkrim ku jepen detaje për gazetarët e vrarë në Rripin e Gazës, e cila ndodhet nën sulmet e ushtrisë e Izraelit që nga 7 tetori 2023.
Në deklaratë u publikua një listë me emrat e gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë në Rripin e Gazës. Sipas listës në fjalë, numri i gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 246.
Më tej thuhet se 5 gazetarë ndodheshin në mesin e të vrarëve në sulmin ajror që kreu sot ushtria izraelite ndaj spitalit “Nasser” në qytetin Khan Younis, në Rripin e Gazës.
Në sulmin e fundit humbën jetën fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
Së fundmi gazetari Hasan Duhvan u vra si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite në rajonin Al-Mawasi në qytetin Khan Younis.
Komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të gazetarisë iu bë thirrje të ngrenë padi kundër Izraelit në gjykatat ndërkombëtare për krimet e tij dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë e Tel Avivit për të ndaluar gjenocidin, vrasjet dhe atentatet kundër gazetarëve palestinezë.



Të tjera
Disa probleme shëndetësore mund të dallohen nga sytë
Ushqimet që ju ndihmojnë të ndiheni të lumtur
Studimet e fundit tregojnë se çfarë do të thotë “të hash thonjtë”