Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ku pritet të diskutojnë pasojat e sulmit të fundit izraelit në Katar.
Sulmi, i cili kishte në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit në territorin e Katarit, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe është kritikuar edhe nga Presidenti Donald Trump.
Rubio deklaroi më herët se “nuk jemi të kënaqur me këtë. Presidenti nuk ishte i kënaqur. Tani duhet të ecim përpara dhe të kuptojmë çfarë do të ndodhë më tej”.
Takimi zhvillohet në të njëjtën kohë që liderët arabë po mbajnë një samit në mbështetje të Katarit, ndërsa kryeministri i këtij vendi i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndalojë zbatimin e “standardeve të dyfishta” dhe të marrë masa kundër Izraelit.
Katari është një vend që strehon një bazë të rëndësishme ajrore amerikane dhe ka luajtur një rol kyç në negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për përfundimin e luftës në Gaza.
Të dielën, Netanyahu deklaroi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Izraelit është “po aq e qëndrueshme sa gurët në Murin Perëndimor”, gjatë një vizite të shkurtër në këtë vend të shenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit me Rubion dhe ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee.
Rubio vendosi një shënim në mur, ndërsa të dy nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve për sulmin në Katar. Në agjendë pritet të diskutohen gjithashtu planet ushtarake të Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës dhe zgjerimi i mëtejshëm i vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërkohë, gjatë fundjavës, ushtria izraelite ka vazhduar me shembjen e ndërtesave banimi në qytetin e Gazës dhe raportohet se është gati të nisë operacione tokësore në lagjet perëndimore të qytetit.
Ushtria ka kërkuar që banorët të largohen drejt jugut të Rripit të Gazës, duke vlerësuar se rreth 250,000 palestinezë janë larguar, megjithatë shumë të tjerë mbeten ende aty. Disa thonë se nuk kanë mundësi ekonomike për t’u larguar, ndërsa të tjerë se jugu nuk është i sigurt, pasi edhe aty janë zhvilluar sulme ajrore. Disa kanë tentuar të ikin, por nuk kanë mundur të vendosin çadrat, ndaj janë kthyer në qytetin e Gazës.
Takimi mes Rubios dhe Netanyahut ndodh pak ditë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku disa prej aleatëve më të ngushtë të SHBA-së, përfshirë Britaninë, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën, pritet të njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës.
Të tjera
Rubin: Thaçi kishte prioritet mbështetjen amerikane, i hetuam akuzat ndaj tij, asnjë nga ato marri s’ishte e vërtetë
Rubin: Albright i kërkoi Thaçit të tregonte tolerancë
Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA godet ekonominë e Kosovës