Rusia e ka kryer një sulm të madh gjatë natës kundër Ukrainës, duke goditur objekte jetike të energjisë, përfshirë një termocentral, në një kohë kur temperaturat në gjithë vendin ranë deri në minus 15 gradë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, theksoi se Rusia i përdori gati 300 dronë sulmues, si dhe 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese.
“Gjendja në rajonin e Kievit është e rëndë. Disa qindra mijëra familje janë pa energji elektrike tani”, tha Zelensky në një postim në X.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se kishte kryer një “sulm të madh” ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, duke pretenduar se ato përdoreshin nga ushtria e Ukrainës dhe kompleksi i saj ushtarako-industrial.
“Rusia po përpiqet qëllimisht të krijojë kushte jetese, të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik të popullit ukrainas”, shkroi ai në X, duke shtuar se një veprim i tillë hyn në përkufizimin e Nenit II (c) të Konventës për Gjenocidin.
Furnizuesi kryesor privat i energjisë në Ukrainë, DTEK, raportoi se raketat ruse goditën gjatë natës një termocentral. Ky ishte sulmi i tetë madhor ndaj objekteve të tij që nga tetori i vitit 2025.
Ai shtoi se puna për riparimin dhe rikthimin e furnizimit ka nisur kudo që kushtet e sigurisë mundësuan.
“Numri i njerëzve të vrarë nga sulmi i armikut në periferi të Harkivit ka arritur në katër”, shkroi Oleh Syniehubov në Telegram.
Kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha se një dron rus goditi një institucion mjekësor për fëmijë, duke shkaktuar zjarr.
Sulmet gjatë natës goditën gjithashtu rajone të tjera ukrainase, përfshirë qytetin jugor të Odesës.
Moska ka pretenduar vazhdimisht se nuk synon infrastrukturën civile të Ukrainës, pavarësisht provave gjithnjë e më të mëdha që tregojnë të kundërtën.
Të dhënat tregojnë se forcat ruse intensifikuan sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe të gazit të Ukrainës në fillim të vjeshtës së vitit 2025, duke ndërprerë furnizimet gjatë sezonit të ngrohjes. / REL



Të tjera
Dy ditët e fundit 50% e konsumit u mbulua nga importi
Rama nderohet me medaljen më të lartë “Zayed” nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara: Krenari për Shqipërinë
KQZ vendos të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit