Mercedes-AMG One u desh shumë kohë për t’u zhvilluar dhe rezultati është, siç pritej, spektakolar. Ky bolid hibrid është i pajisur me një mori teknologjish nga Formula 1, është një bishë e rrallë, ndaj edhe çmimi prej 2.27 milionë eurosh është i justifikuar. Teknologjia, fuqia dhe ekskluziviteti nuk kanë qenë kurrë të lira. Natyrisht, në këtë çmim nuk është përfshirë tatimi.
Automobili, i cili falë katër motorëve elektrikë zhvillon 1063 kuaj/fuqi, kërkon edhe mirëmbajtje. Ai është një eksponat i vërtetë i teknologjisë moderne dhe spektakolare, ndërsa baza e tij është një motor benzine V6. Gjermani Michael Spegel, në kanalin e tij në YouTube, Gercollector, ka publikuar kostot e mirëmbajtjes së këtij bolidi.
Të fillojmë nga fillimi. Pronarët e AMG One duhet të përgatiten për një shërbim vjetor. Mirëmbajtja e rregullt nga Mercedes-Benz kushton 42 mijë euro – çdo vit. Dy punonjës punojnë në AMG One për një javë. Gjatë këtij procesi, ndërrohen vaji i marsheve, vaji i motorit, lëngu i frenave dhe ai ftohës, si dhe bëhet mirëmbajtja e sistemit të fuqisë, filtrit të vajit, valvuleve, filtrit të ajrit dhe ftohësit.
Nëse pronari arrin 50 mijë kilometra, e pret një remont i madh i të gjithë sistemit të fuqisë nga Formula 1, duke përfshirë boshtin e përparmë elektrik, baterinë, të gjithë motorët elektrikë dhe motorin me djegie të brendshme. Nëse është e nevojshme një njësi e re fuqie, kostoja mund të arrijë deri në 800 mijë euro, përfshirë edhe një komplet të ri rrotash. Katër rrota të reja magneziumi kushtojnë 85200 euro, ndërsa mund të zgjidhni një opsion më ekonomik me disqet standarde prej alumini, të cilat kushtojnë 9100 euro.
Ndërrimi i paneleve të karrocerisë është gjithashtu i shtrenjtë. Një pjesë e re e pjesës së përparme kushton 85 mijë euro, nga të cilat 48 mijë euro janë për pjesën e poshtme (përfshirë elementët prej karboni dhe hapjet e ajrit) dhe 37 mijë euro për kapakun e motorit. Për një difuzor të ri të pasmë, duhet të paguani 53 mijë euro.
Mos thoni që nuk ju paralajmëruam, nëse rastësisht gjeni në treg një Mercedes-AMG One të përdorur me pak kilometra… Por, në fund të fundit, ata që kanë blerë këtë makinë janë të përgatitur për të gjitha këto kosto mirëmbajtjeje dhe me shumë gjasa nuk do të lëvizin as qerpikun kur t’i dëgjojnë këto shifra.
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet…
Të tjera
Kontrata sekrete paramartesore e Cristiano Ronaldos me Georginën? Çfarë merr ajo nëse ndahen?
Milani nuk mund të vazhdojë të pësojë gola kaq të lehtë
Tentimi i radhës, kush do të ia mësyjë karrigës së kryetarit?