Ajo që në shikim të parë u duk një ndikim indirekt i Vetëvendosjes në Radiotelevizionin e Kosovës, tashmë po konfirmohet dita-ditës.
Raportimi i RTK-së në portal dhe në edicionin qendror të lajmeve, nuk ishte rastësi. Ishte një skenar i përgatitur nga eksponentë të pushtetit, dhe dërguar deri te njeriu i tyre i besueshëm në RTK, Rilind Gërvalla.
Në raportimin e RTK-së u citua një media boshnjake, e cila bënte akuza pa asnjë dëshmi se Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia dhe presidenti i Serbisë. Nacionale nuk u kontaktua para publikimit të lajmit, duke shkelur kështu secilin parim gazetaresk.
Një natë më parë, drejtori i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, doli me një postim të gjatë në facebook. Aty, ai dha argumente të njëjta sikur deputetët e pushtetit dhe ‘komisarja’ Dejona Mihali. E vlerësoi ‘Slobodna Bosnën’ si kredibile, përderisa kjo e fundit shquhet për dënime për shpifje e për lajme të rreme.
Gënjeu publikisht se RTK-ja nuk e ka përmendur Nacionalen e Periskopin, përderisa lajmi fillestar i kishte me emër të dy mediat, e i cili më pas u editua.

Megjithatë, jo që nuk bëhet fjalë për të marrë përgjegjësi, duket se synimi i udhëheqësjes së RTK-së ka qenë që të heshtet ky skandal që shkaktoi reagim vendor e ndërkombëtar.
Nacionale ka siguruar disa biseda brenda për brenda menaxhmentit të RTK-së, të cilat në thelb dëshmojnë, se synimi ka qenë që duke mos reaguar, të heshtet skandali ku dy media kosovare u akuzuan për financim nga Serbia.
Megjithatë, çfarë thuhet në këto biseda?
Udhëheqësja e mediave online në RTK, Valjeta Kosumi, po del të jetë në krye të këtij skandali. Si përgjegjëse për portal, lajmi shkoi te ajo e para. E komunikimin me drejtorin e televizionit, Rilind Gërvalla, ajo e ka mbajtur gjatë gjithë kohës. Madje, edhe e ka ‘këshilluar’ se si të veprojë në mënyrë që ky skandal të mos bëhet edhe më i madh.
Gjatë mbrëmjes së kaluar, Valjeta Kosumi, duket se ka pasur një komunikim me drejtorin Gërvalla, ish-anëtarin me librezë të Vetëvendosjes. Komunikimi ndodhi pak minuta para se moderatori Ermal Panduri të kërkonte përgjigje nga Gërvalla për këtë skandal.
Nacionale nga burimet e veta ka siguruar disa fjalë të cilat Valjeta Kosumi e ka pasur për synim t’i dërgojë në drejtim të Rilind Gërvallës, por gabimisht, i dërgoi në grupin e Dhomë së Lajmeve të RTK-së në Viber.
Në këto pak fjalë që ka siguruar Nacionale, pasi disa prej tyre ishin fshirë, Kosumi i kërkon Gërvallës të mos reagojë më, pasi, “sa u nalën pak”. Duke aluduar në ndaljen e reagimeve. Më pas, i jep edhe një këshillë se deklaratat për Kallxo.com, kanë qenë të mjaftueshme.
Në pjesën e parë të bisedës, Valjet Kosumi, i thotë Gërvallës të mos flet për media.

Burimet i kanë bërë të ditur se këto fjalë, Valjeta Kosumi, ka pasur t’ia dërgojë Gërvallës, por që me të vërejtur se i ka dërguar gabimisht, i ka fshirë menjëherë. Këtë biseda janë siguruar edhe me ‘Screen Shoo’.
“Sa u nalen pak, thjeshte menoj qe sja vlen. Paske fol per qato media, besoj qe qajo mjafton. Ti prape e din”, thuhet ne këtë mesazh që përgjegjësja e mediave online e dërgoi gabimisht në grupin me mbi 60 aëntarë të Dhomës së Lajmeve në RTK.
Disa sekonda më pas, ajo i fshiu menjëherë këto fjalë. Por, këto nuk i ikën burimeve të Nacionales, të cilat arritën t’i ruajnë fotografitë.
Komunikimi ndodhi pak para se Ermal Panduri të kërkonte përgjigje nga Gërvalla, e pak minuta përpara se Rilind Gërvalla të dilte me postimin e tij të gjatë në rrjete sociale, ku e sqaronte gjithë situatën, duke bërë që biseda e Valjeta Kosumit me Gërvallën, të marrë formë.
Në një reagim të gjatë drejtori i RTK-së, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, i ka qëndruar fije për pe lajmit të rremë të “Slobodna Bosna”-s ku akuzohen media Nacionale dhe Periskopi se gjoja janë në kontroll të terroristit famëkeq dhe liderit të grupit paraushtarak që sulmoi Kosovën, Millan Radojçiq.
Gërvalla përveç që s’u distancua nga lajmi i ashtuquajturi “hulumtim” – ku mbarë teksti s’ka asnjë provë, fakt, të dhënë apo shifër objektive që do të mbante edhe më minimalisht një standard gazetarie, profesionale apo etike – tha se Slobodna Bosna është “medium serioz”; pavarësisht se i njëjti medium nga verifikuesit e certifikuar të mediave si “Raskrinkavanje” në Bosnje e dhënë si “lider në rajon për dezinformim”.
“Vlerësimet profesionale për të botuar a jo lajme si këto s’janë asnjëherë të lehta. Meqë lajmi nuk është produkt i hetimeve vetjake, gazetari duhet të gjykojë për seriozitetin e medias që citohet. Aty do shtruar një sërë pyetjesh. A është anonim portal që citohet, apo ka redaksi profesionale me redaktor përgjegjës. Çfarë historie ka si medium. A ka vlerësime nga shoqatat e gazetarëve në vendin përkatës”, ka shkruar ai.
Pastaj, Gërvalla gënjen se nuk ua ka përmendur emrat mediumeve – Nacionales dhe Periskopit – ku deputetët Dimal Basha dhe Sali Zyba i kanë të botuara tekstet e RTK-së në profilet e tyre në Facebook ku përmendin Nacionalen dhe Periskopin.
“Jam i bindur se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe caqet e standareve etike të gazetarisë, duke vendosur në plan të parë të drejtën sipërore të publikut për informim. E mbi të gjitha të drejtën e RTK-së për të qenë në krye në raportimit edhe kur prej tij ka debat shoqëror”, ka shkruar Gërvalla.

Të tjera
Dyshohet për një person të vrarë pranë burgut të Mitrovicës së Veriut
Policia parandalon kontrabandën me cigare në vlerë rreth 80 mijë euro
Naim ef. Tërnava takim lamtumirës me zyrtarin e ambasadës turke në Kosovë