“Kur para disa vitesh kam shkruar për këtë temë, shumëkush mendonte se po e teproja”, kujton gazetari dhe shkrimtari i njohur boshnjak, Dragan Bursaq.
“S’është tamam kështu”, më thoshin. “Por po, ka qenë pikërisht kështu: të huaj të pasur vinin në Sarajevë dhe nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Srpska qëllonin mbi qytetarët e Sarajevës”, thotë për RTKLive gazetari Bursaq.
Shumë kohë para se të hapej hetimi në Milano, mediat boshnjake dhe ato të rajonit kishin raportuar për “safarin e Sarajevës” dhe “turistët e luftës”, të cilët gjatë rrethimit serb të Sarajevës (1992–1995), nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Srpska shtinin mbi civilët e qytetit. Pra, tema që së fundmi po rikthehet nga mediat evropiane nuk është e re.
Bursaq shpjegon për RTKLive se Prokuroria e Milanos ka hapur hetim mbi dyshimet se një grup shtetasish të pasur italianë kanë paguar para për të qëlluar me snajper nga pozicionet e forcave serbe në drejtim të banorëve të Sarajevës. Nëse objektivi ishte fëmijë, “çmimi” ishte më i lartë.
Vrasës “të fundjavës”
“Gazetarët e ‘Oslobogjenjes’, që nga koha e rrethimit, shkruanin për këtë fenomen monstruoz. Edhe pas luftës, kolegët nga Al Jazeera Balkans e kanë trajtuar disa herë, dhe vetë kam shkruar për të,” thotë Bursaq, duke shtuar se për 30 vjet askush, as institucionet, as opinioni publik në Bosnje, nuk ka reaguar ndaj këtij krimi të tmerrshëm.
Agjencia italiane ANSA së fundmi ka raportuar për “snajperistët e fundjavës”, duke kujtuar se me kalimin e viteve janë mbledhur shumë dëshmi dhe dokumente, të cilat gazetari italian Ezio Gavaceni ia ka dorëzuar Prokurorisë së Milanos.
Sipas dokumenteve që ai ka paraqitur, shërbimet boshnjake të sigurisë në fund të vitit 1993 e kishin njoftuar shërbimin italian SISMI se të paktën pesë italianë ndodheshin në malet rreth Sarajevës për të shtënë mbi civilët. Një i arrestuar serb kishte dëshmuar se pesë të huaj kishin udhëtuar me të nga Beogradi në Bosnje, nga të cilët së paku tre ishin italianë. Bëhej fjalë për një burrë nga Torino, një nga Milano dhe një nga Trieste. Ai nga Milano ishte pronar i një klinike private estetike.
Gjueti ndaj sarajevasve
“Është histori e jetës reale. Është pjesa e shoqërisë që ka mbuluar të vërtetën”, thotë Gavaceni.
Ai tregon se nxitja për të hapur këtë çështje i erdhi pasi pa në vitin 2022 dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupaniç. Në film, persona që folën në mënyrë anonime rrëfyen për të huaj të pasur – veçanërisht italianë – që paguanin shuma të mëdha për të marrë pjesë në “gjuetinë e njerëzve” në Sarajevë. Udhëtimet e tyre nëpër malet rreth qytetit organizoheshin nga një agjenci turistike në Trieste, ndërsa sipas hetimeve të Gavacenit, në organizim kishte rol edhe shërbimi serb i sigurisë.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, ky shërbim thuhet se ka organizuar “safari njerëzish”, me çmime më të larta nëse objektivi ishte fëmijë, raporton gazeta gjermane Tagesspiegel.
Bursaq shton: “Po, është e vërtetë: të huaj të pasur vinin në Sarajevë dhe nga pozicionet e ushtrisë serbe vrisnin njerëz! ‘Sarajevo Safari’ është dëshmia më morbide e pamëshirës njerëzore. Dhe është tragjike që ky krim po rikthehet në vëmendje vetëm falë një hetimi italian. Pyetja logjike është: çfarë po bën Prokuroria e Bosnjës?”
Ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq, ka dorëzuar qysh në vitin 2022 kallëzimin penal pranë Prokurorisë së Bosnjës, por deri sot nuk ka asnjë zhvillim domethënës.
Përgjegjësia morale dhe institucionale
Bursaq thotë se ka më shumë besim te institucionet italiane dhe ato të BE-së sesa te ato të Bosnjës.
“S’dihet as sa prej atyre ‘turistëve’ janë ende gjallë, sepse krimi ka ndodhur 30 vjet më parë. Por duhet të zbulohen emrat. Dimë që çetnikët e Ushtrisë së Republikës Srpska i prisnin këta ‘turistë’ që vinin nga Trieste e qytete të tjera të Italisë për të marrë pjesë në këtë safari.”
Ai risjell në kujtesë edhe raste të tjera të dokumentuara.
“A ju kujtohet videoja e shkrimtarit rus Eduard Limonov, i cili shtinte me armë nga pozicionet serbe? Apo deklarata e Vojislav Sheshelit në Hagë, që Aleksandar Vuçiq ka qëlluar ndaj qytetit nga Varrezat Hebreje?”
“Shumë e rëndë është që shteti im, Bosnja dhe Hercegovina, institucionalisht është thuajse i painteresuar për këtë rast,” thekson ai.
Sipas Bursaq, shoqëritë post-jugosllave janë bërë indiferente ndaj krimeve.
“Nëse edhe gjysma është e vërtetë – kjo është aktakuzë ndaj civilizimit”
Regjisori boshnjak, Dino Mustafiq, shkroi në platformën X:
“Edhe nëse gjysma e kësaj është e vërtetë, bota duhet të kuptojë: Sarajeva nuk është vetëm granatuar, mbi të është bërë gjueti. Jeta e një fëmije kishte çmimin më të lartë në tregun e gjuetisë së njerëzve. Ky nuk është lajm, por aktakuzë ndaj një civilizimi që shikoi dhe heshti. ‘Sarajevo Safari’ nuk është sensacion, është humnerë morale. Kjo çështje nuk duhet të mbetet një kronikë, por duhet të kërkohet përgjegjësi dhe drejtësi. Sot, jo nesër.”
Gjatë 44 muajve të rrethimit serb të Sarajevës, më i gjati i regjistruar ndonjëherë në historinë moderne (madje më i gjatë edhe se rrethimi nazist i Leningradit) u vranë mbi 11.000 civilë, mes tyre 1.600 fëmijë. Një në dhjetë fëmijë u vranë nga snajperistët.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe trajton tema nga rajoni



Të tjera
Xhafer Tahiri jep dorëheqje nga posti i Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri
Katër kadetë të FSK-së përfundojnë Akademinë Ushtarake në Gjermani
Perimet mrekullibërëse për shëndetin