Schengeni me rregulla të reja për udhëtime, preket edhe Kosova

Nga tetori, rregullat e udhëtimit drejt zonës Schengen do të ndryshojnë. Në vend të vulave fizike në pasaporta, do të nisë përdorimi i një sistemi digjital për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së.

Bashkimi Evropian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të hyrjes dhe daljes për qytetarët që nuk janë nga vendet e Unionit duke filluar nga data 12 tetor.

Ky sistem i avancuar, i njohur si EES – Entry/Exit System – do të regjistrojë të dhënat biometrike të udhëtarëve, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës. Sipas asaj që raporton “The Guardian”, sistemi do të:

Zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave

Kapë të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës (vetëm njëra nga këto)

Llogarisë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar

Sinjalizojë shtetet anëtare në rastet e qëndrimeve të tejzgjatura

Këto rregulla do të prekin edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonën Shengen.

Sistemi do të nisë së zbatuari gradualisht për gjashtë muaj dhe pritet të hyjë në funksionim të plotë në janar të vitit 2026.

Makineritë për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve tashmë janë vendosur në disa pika kalimi, përfshirë terminalin Eurostar në Londër dhe Portin e Doverit.

Komisioni Evropian thotë se ky sistem do të rrisë sigurinë kufitare dhe do të përshpejtojë procesin për udhëtarët e rregullt.