Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV, Albulena Haxhiu ka komentuar sot situatën politike pas dështimit për formimin e Qeverisë së re. Ajo bëri krahasime me vitin 2020, kur sipas saj, të njëjtët aktorë politikë kishin rrëzuar Qeverinë Kurti 1.
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme më kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot pamundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3,” tha Haxhiu.
Ajo kritikoi “Klubin e Stërvjetëruar Politik” dhe Listën Serbe për pengimin e votimit të kryeministrit të zgjedhur më së shumti nga qytetarët.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre,” theksoi ajo.
Megjithatë, Haxhiu u shpreh optimiste për të ardhmen e Vetëvendosjes dhe theksoi se pengesat janë të përkohshme.
“Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme,” tha deputetja.
Ajo shtoi se as presioni i grupeve të interesit, as manipulimet e mundshme nuk do të mund të ndalin partinë e saj.
“Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë,” deklaroi Haxhiu.
Ajo gjithashtu theksoi misionin e Vetëvendosjes për një qeverisje të ndershme dhe transparente.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm,” përfundoi ajo.



Të tjera
Si të çliroheni nga mendimi i tepruar, 4 këshilla
Sa më shpejt zgjedhje të reja, aq më mirë!
Ja si duhet ta hani vezën nëse keni probleme me diabetin