Serbët që lu*ftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë të re ballkanike – atë në Bosnje e Hercegovinë

Serbët që lu*ftojnë për Putinin në Ukrainë po përgatiten për një luftë të re ballkanike – atë në Bosnje e Hercegovinë

Një brez i ri nacionalistësh serbë po përgatitet për luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë, me qindra militantë që tashmë udhëtojnë për në Ukrainë për të luftuar përkrah forcave ruse.

Ata besojnë se “Nëna Rusi” do t’ua kthejë nderin dhe do t’i ndihmojë të rimarrin territoret e humbura si Kosova, transmeton Telegrafi.

Nacionalistët, përfshirë veteranët e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, po përdorin mediat sociale për të inkurajuar të rinjtë serbë t’u bashkohen atyre, duke ofruar deri në 26,000 euro për të shkuar në frontin ukrainas, ka mësuar The Telegraph.

Ka frikë në rritje se të kthyerit nga fronti ukrainas mund të shkaktojnë një konflikt të ri paramilitar në Bosnjë, 30 vjet pas përfundimit të luftës.

Një shembull i tillë është Dario Ristiq, një nacionalist serb i cili u kthye së fundmi në Bosnjë pasi u plagos duke luftuar në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si “Arinjtë”.

Ristiç, i cili ironikisht fitoi nofkën e luftës “Brzi” në Ukrainë për shkak të këmbës së tij protetike, ka marrë pjesë në sulme me snajperë dhe dronë në qytete të tilla si Avdiivka.

Ai përdori gjithashtu aftësitë e tij në platformat e mediave sociale si TikTok dhe rrjeti rus Vkontakte, ku ai e glamurizoi luftën dhe përhapi mesazhe nacionaliste për të mbledhur mbështetje midis të rinjve serbë të pakënaqur politikisht.

Njësia e tij ruse madje i dërgoi një kartolinë ditëlindjeje kriminelit të luftës Ratko Mladiq, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në Hagë.

Në një video të postuar në Telegram, Ristiq pozoi pranë një shoku i tij i cili tha: “Kur të mbarojmë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rimarrë vendet tona të shenjta dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – deri në fitore”.

Me t’u kthyer në Bosnjë, Ristiq u arrestua në aeroportin e Sarajevës për t’u bashkuar me një njësi paraushtarake të huaj, por u lirua nga burgu dhe u vu në arrest shtëpiak në pritje të gjyqit.

Edhe pse larg vijave të frontit, me më shumë se 10,000 ndjekës në internet, ai ende konsiderohet një rrezik i lartë për rekrutim.

Kur The Telegraph e kontaktoi në shtëpinë e tij në Modrica, ai tha nga pragu i derës: “Do të doja të flisja me ty. Por ligji më ndalon të flas me ty, por ndoshta në të ardhmen”.

Ristiqit i bashkohen në internet edhe nacionalistë të tjerë serbë, kryesisht veteranë të luftës së Bosnjës, të cilët vazhdojnë të ngulitin një ideologji përçarëse te të rinjtë.

“Ekziston një besim i zakonshëm midis këtyre ekstremistëve se Nëna Rusi një ditë do t’ua shlyejë borxhin e gjakut duke ndihmuar në rindërtimin e një Serbie të Madhe”, tha Sreqko Latal, një analist rajonal.

“Numri i tyre është i vogël, por ata po ndihmojnë në tërheqjen e të rinjve të tjerë të pakënaqur serb që mund të jenë të prekshëm ndaj mesazheve nacionaliste. Ashtu si IRA e vjetër në Irlandën e Veriut, nuk keni nevojë për shumë individë të armatosur për të kërcënuar ekuilibrin e paqes”, shtoi Latal.

Një veteran i shquar me një ndikim të madh te luftëtarët e rinj, përfshirë Ristiqin, është Davor Saviçiq, i njohur si “Vuk”. Gjatë luftërave të viteve 1990, ai luftoi në njësinë paraushtarake Tigrat e Arkanit, dhe më vonë iu bashkua forcave ruse në Krime dhe Siri, dhe ishte pjesë e Grupit Wagner të shpërbërë.

Raportet mjekësore të rrjedhura kanë zbuluar se ai ishte gjithashtu kolonel në shërbimin e inteligjencës ruse GRU, përgjegjës për sulmin me Novichok në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018.

Nën udhëheqjen e tij, GRU dyshohet se krijoi një sërë kompanish fiktive për të ndihmuar vullnetarët serbë dhe të tjerë të shmangnin zbulimin, duke u lëshuar atyre leje pune dhe duke rregulluar udhëtimet.

“Ne infiltruam disa nga shërbimet e tyre të mesazheve duke u paraqitur si vullnetarë”, tha Nino Bilajac, një gazetar investigativ në Sarajevë.

“Paratë e ofruara po rriten ndërsa humbjet në fushën e betejës e bëjnë Rusinë më të dëshpëruar për luftëtarë të rinj, dhe kohët e fundit më është ofruar një pagesë paraprake prej rreth 26,000 eurosh për t’u regjistruar, dhe një pagë mujore prej gati 2,800 eurosh”, shtoi ai.

Për të rinjtë në qytete si Modrica, ku papunësia është e lartë dhe pagat rreth 500 funte, oferta është joshëse pavarësisht ligjeve që ndalojnë luftimin për një fuqi të huaj.

Në Modrica, ku punëdhënësi më i madh është një rafineri nafte në pronësi ruse, një kalimtar tha se Ristiq mburrej për pensionin e tij të veteranit nga Moska dhe planet për të hapur një qendër trajnimi dhe një punishte riparimi dronësh.

Kthimi i tij sjell trazira në mesin e pakicës boshnjake. Jo shumë larg shtëpisë së tij ndodhet një xhami e rindërtuar pas luftës.

“Isha vetëm 10 vjeç kur hynë tanket, dhe babai im u zvarrit me forcë, dhe vëllai im pothuajse u vra kur shtëpia e fqinjit tonë, pikërisht aty, u shpërbë në copa”, tha Edib Ziliq (43).

“Në disa vende viktimat ende duhet të takohen me autorët, dhe edhe sot, pavarësisht të gjitha miqësive të rinovuara, ende ka një pakicë ekstremistësh që duan të na frikësojnë dhe të na kthejnë në ato kohë të liga, por ne refuzojmë të jetojmë me frikë”, shtoi ai.

Ka gjithashtu shenja të përfshirjes së mundshme të shtetit. Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska i cili ende mban pushtetin real, u fotografua me Davor “Vuk” Saviçiq përpara një takimi me Vladimir Putin në Moskë në fillim të këtij viti.

Ekzistojnë gjithashtu frikëra se Republika Srpska mund të bëhet një vend stërvitjeje për njësitë paraushtarake të mbështetura nga Rusia, duke paraqitur një kërcënim për sigurinë evropiane.

Dëshmitë nga gjyqi i sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se Republika Srpska është përdorur kohët e fundit si një bazë stërvitjeje për luftë hibride kundër Perëndimit.

Trajnimi ka përfshirë metoda për shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme dhe përdorimin e dronëve për të prishur infrastrukturën civile dhe ushtarake, teknika që tashmë janë parë në të gjithë Evropën. /Telegrafi