Serbi i dyshuar për organizimin e incidenteve raciste, fshihet në Moskë

Serbi i dyshuar për organizimin e incidenteve raciste, fshihet në Moskë

Një hetim disa mujor i Radios Evropa e Lirë – shërbimi për Ballkan ka zbuluar se një shtetas serb, i dyshuar për organizimin e incidenteve raciste në Evropë, aktualisht fshihet në kryeqytetin e Rusisë.

 

Bëhet fjalë për Momçilo Gajiq, i cili sipas dokumenteve gjyqësore konsiderohet organizator i një rrjeti që dyshohet të ketë vepruar nën ndikimin e shërbimeve ruse të inteligjencës.

Sipas hetimeve, grupi ka qenë i përfshirë në një seri incidentesh gjatë vitit 2025 në Paris dhe Berlin, duke shënjestruar komunitetet fetare dhe objektet simbolike.

Ndër rastet e dokumentuara përfshihen dëmtimi i sinagogave, hedhja e ngjyrës mbi memoriale dhe vendosja e simboleve provokuese pranë objekteve fetare, duke rritur tensionet ndëretnike dhe fetare.

Në shtator të viti të kaluar, autoritetet serbe arrestuan njëmbëdhjetë persona në lidhje me këto ngjarje, por  jo edhe të dyshuarin Gajiq.

Hulumtimet e mëtejshme të Radios Evropa e Lirë tregojnë se Gajiq është parë në Moskë në janar të vitit 2026, gjatë një ceremonie fetare në një kishë të lidhur me Kishën Ortodokse Serbe.

Sipas të dhënave të disponueshme publikisht, mund të shihet se dy vjet para incidenteve në Francë dhe Gjermani, Gajiq ishte një nga mysafirët e rëndësishëm të Kishës Ortodokse Serbe, këtë herë në Serbi.

Në vitin 2017, Momçilo Gajiq foli për veten në një emision në YouTube ku deklaroi se në klasën e tetë takoi “shokë nga mjedisi kriminal”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi institucionet serbe nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare.