Në një kohë kur marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë nuk janë më aq të afërta sa më parë dhe kur Serbia është nën vëzhgimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për rrugën e saj të integrimit, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç zgjedh një qasje të kujdesshme, por të artikuluar, që i flet njëkohësisht Brukselit dhe Moskës. Duke folur në konferencën e sigurisë “GLOBSEC 2025” në Pragë, Vuçiç nuk i mohoi lidhjet tradicionale me Rusinë, por as nuk e la pa kritikuar atë që e quajti hipokrizi evropiane në raport me zgjerimin dhe standardet e dyfishta ndaj Serbisë dhe çështjes së Kosovës.
Rënia e popullaritetit të BE
Vuçiç, tha se rënia e popullaritetit të Bashkimit Evropian (BE) midis qytetarëve të Serbisë nuk lidhet me Rusinë, por me lëvizje të caktuara të atij blloku prej 27 vendesh që nuk kontribuojnë në besimin e ndërsjellë. Në panelin e konferencës së sigurisë “GLOBSEC 2025”, Vuçiç tha se një pyetje e rëndësishme për Serbinë është ajo që dëshiron Bashkimi Evropian me Ballkanin Perëndimor – nëse e dëshiron atë rajon si pjesë të përbërjes së tij apo jo. “Ata gjithmonë gjejnë një vend që has kundërshtime ndaj një kandidati për anëtarësim. Për Maqedoninë e Veriut kanë Bullgarinë, për Serbinë kanë Kroacinë dhe disa vende të tjera që do të ngrenë kundërshtime. Kjo nuk kontribuon në besimin midis nesh”, tha Vuçiç në panelin “Shfrytëzo momentin: Krijimi i partneriteteve të qëndrueshme në fqinjësi (BE)”.
Arsyet
Vuçiç tha se “ndoshta është faji i tij që BE-ja nuk është aq popullore në Serbi sa ishte dikur” dhe shtoi se ndoshta duhet të ndryshojë pikëpamjet e tij dhe të mundësojë “propagandë më të mirë” për BE-në në Serbi. “Kishim të njëjtën afërsi me Rusinë 20 vjet më parë, kur 80 përqind e qytetarëve ishin në favor të BE-së. Tani 40 përqind janë në favor të BE-së, dy herë më pak. Nuk është vetëm në Serbi, i njëjti problem ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut, ndoshta maqedonasit janë edhe më skeptikë ndaj rrugës evropiane sesa serbët. Nuk ka të bëjë fare me Rusinë, por me nevojat dhe pritjet tona, si dhe me disa zhgënjime”, tha Vuçiç. Ai vlerësoi se anëtarësimi në BE është kryesisht një çështje politike dhe se ka pak të bëjë me meritën, siç pretendojnë përfaqësuesit e Unionit.
Pavarësia e Kosovës
I pyetur nëse Serbia nuk është ende gati të njohë pavarësinë e Kosovës, Vuçiç tha se Bratislava, Bukureshti, Athina, Madridi dhe Nikosia nuk janë ende gati ta bëjnë këtë. Ai deklaroi se Serbia ka një “qëndrim shumë parimor” ndaj çështjes ukrainase – ajo respekton Kartën e OKB-së dhe mbështet fuqimisht integritetin territorial të Ukrainës, edhe pse Rusia është miku i saj tradicional. “Por kur flet për shkeljen e parimeve të OKB-së dhe të drejtës publike ndërkombëtare, nuk mund t’i shpjegosh askujt në Serbi, askujt, se çfarë ndodh me integritetin territorial të Serbisë. Rezoluta 1244 është ende në fuqi dhe askush nuk interesohet për të, sepse disa aleatë perëndimorë kanë interesa politike shumë më të rëndësishme sesa Karta e OKB-së dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiç.
Presioni nga Rusia
Vuçiç tha se Serbia ka bashkëpunim shumë të mirë me Ukrainën, duke deklaruar se ai ishte në Odesa të mërkurën, në Samitin e Evropës Juglindore-Ukrainë, dhe se kishte folur me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy nëntë herë deri më tani. Vuçiç iu përgjigj gjithashtu pyetjes nëse Moska po i bën presion Beogradit që të ndalojë mbështetjen e Ukrainës. “Nuk mund të them se Rusia po ushtron ndonjë presion sepse ne veprojmë si një vend i pavarur dhe sovran. Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi të orientuar anti-rusisht. Ne nuk jemi rusë të vegjël, siç mendojnë shumë në SHBA për Serbinë, ne jemi serbë”, shtoi ai. Lajcak, ish-Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Sllovakisë, tha se tani ka përsëri një vrull në BE kur bëhet fjalë për zgjerimin, duke vlerësuar se hyrja e Serbisë dhe Armenisë në Bashkim do të ishte e dobishme për të dyja palët.
Të tjera
Rikthehet “Prishtina Parking”, nga nesër parkimi me pagesë
21-vjeçari godet me veturë 5 persona në parkun e Vitisë, njëri në gjendje të rëndë
Osmani dorëzon sot në Kushtetuese komentet për konstituimin e Kuvendit