Serbia është shumë afër që të funksionalizojë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Për shqiptarët, që janë shumicë në Luginë të Preshevës, një gjë e tillë është e papranueshme.
Përfaqësuesi komunal në Bujanoc, Ragmi Mustafi thotë se ushtria serbe nuk i përfaqëson shqiptarët, pikërisht për shkak të së kaluarës.
“Është komplet e papranueshme çfarëdo nisme për rektrutim te shqiptarët për në ushtrinë serbe e aq më tepër për shërbim të detyrueshëm ushtarak te shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë… Ajo ushtri nuk përfaqëson shqiptarët, ajo ushtri është një ushtri që përfaqëson anën e kundërt të shqiptarëve, përkatësisht vrasësit dhe ata që kanë ushtruar dhunë e kanë abuzuar me të drejtat tona e me jetët tona në Luginë të Preshevës”, u shpreh Ragmi Musrafi, këshilltar komunal Bujanoc.
Lidhur me këtë, dy ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm, që do të hetonte rastet e vdekjeve të ushtarëve shqiptarë që ishin në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve të ’80.
Mustafi thotë se kjo nismë do të bënte që Serbia të ballafaqohej me të kaluarën.
“Është mirë që të zbulohet e vërteta. Përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë paqen, ndryshe, Serbia duhet të përballet përfundimisht me të kaluarën e saj”, thotë Mustafi.
Megjithatë, konsiderohet si shumë e vështirë që nisma e Shaip Kamberit të jetësohet.
“E rëndësishme është që shqiptarët të ngrenë zërin. E rëndësishme është që edhe deputeti shqiptar, në mënyrë brilante të përfaqësojë këto tema me të cilat edhe më tej ballafaqohet komuniteti shqiptar. E rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të shohë proaktiv komunitetin shqiptar dhe shumë më e rëndësishme është që ne të themi të vërtetën”.
Me këtë nismë, synohet që të zbardhet e vërteta për vdekjet e 135 shqiptarëve gjatë shërbimit në ushtrinë jugosllave e që në atë kohën ishin cilësuar si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, por që për familjarët ishin të dyshimta sepse shpesh kishin hasur në shenja dhune mbi trupat e kthyer./Top Channel
Të tjera
Vendi më i mirë për të ruajtur ilaçet në shtëpi
Shtatë mënyra si të fitoni respektin tek fëmijët tuaj problematikë
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës