Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimeve kufitare janë veprime arbitrare dhe të ngjashme me ato shoviniste të viteve 90-ta.
Osmani tha se Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane.
“Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, deklaroi Osmani.
Në rastin e arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu, e para e shtetit të Kosovës theksoi se u bë mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme.
“Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë”, theksoi Osmani transmeton KosovaPost.
“Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”, theksoi ajo.
“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, shtoi Osmani transmeton Klankosova.tv.
“Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”.
Të tjera
Nominimi në bazë të shortit i Nenad Rashiqit është i ligjshëm, Lista serbe nuk ka veto bllokuese në konstituimin e Kuvendit
Sorensen flet për vizitën në Beograd, thekson rëndësinë e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi
Bllokohen autostradat në Tel Aviv – po rritet zemërimi i izraelitëve kundër Netanyahut