Shadërvani me pamje të re/ Shaqir Totaj tregon projektet që realizoi për 4 vjet dhe realizimin e premtimeve

Shadërvani me pamje të re/ Shaqir Totaj tregon projektet që realizoi për 4 vjet dhe realizimin e premtimeve

Shaqir Totaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për qeverisjen e tij në krye të kësaj komune, kandidimin edhe për një mandat, premtimet e realizuara, projektet, e pritjet nga zgjedhjet e 12 tetorit.

Fillimisht ai ka folur për restaurimin e shadërvanit, i cili ka marrë një pamje tjetër.

“Shadërvani pas rikonstrukturimit ka marrë një pamje tjetër. I është kthyer Shadërvani i vjetër por në fakt ka qenë një projekt multidimensional, ku së pari kemi punuar infrastrukturë nëntokësore, kanalet e kullimit të ujit, kanalet e mbledhjes, kanalizimit e kështu me radhë, pastaj më vonë kemi rregulluar kalldrëmin e vjetër, kemi pasur mjeshtër të specializuar në Itali për këtë çështje, po ashtu i kemi futur në tokë edhe kabllot e rrymës që ka qenë një projekt serioz, ndriçimin serioz e kemi të ri, kështu që është bërë një shije tjetër, një pamje tjetër, sharm i ri i shadërvanit, është vlerësuar shumë prej shumë vizitorëve që kanë ardhur verës nga diaspora, turistët, jemi krenarë me punën që kemi bërë sepse ky është identitet historik dhe kulturor i qytetit më të bukur të Prizrenit”, ka thënë ai.

Totaj ka treguar se kjo ka ndikuar në pamjen e bukur të këtij qyteti dhe është vlerësuar nga turistë të shumtë.

“Në shikim të parë duket punë e lehtë por në momentin që kemi filluar e derisa e kemi përfunduar, ja janë dashur shumë negociata e po ashtu mjeshtër që dinë ta bëjnë punën e dorës, t’i radhitin në mënyrë artistike sepse përveç aspektit funksional është edhe aspekti estetik dhe i ruajtjes së traditës dhe identitetit. Unë mendoj se ia kemi dalë relativisht mirë por vlen të theksohet se për disa hapësira tjera që i kemi shtruar me kalldrëm nuk kemi pasur gurë të vjetër dhe na është dashur të blejmë gurë të ri. E kemi bërë një shesh që të sfidon të vish të kalosh kohë, të shijosh bukurinë dhe një pjesë të historisë së këtij qyteti të lashtë, që përveç tjerash dallohet për nga multietniciteti, diversiteti, shumë gjuhë që fliten, shumë religjione dhe kjo është begati e jona e qytetit të Prizrenit”, është shprehur kryetari i Prizrenit.

Po ashtu, Totaj ka folur dhe për punët e bëra në sektorë tjerë, pastërti e trafik.

“Për sa i përket pastërtisë së qytetit, Eko Regjioni është duke bërë një punë të mirë, mirëpo mirëmbajtja e qytetit në aspektin e pastërtisë varet edhe nga bashkëpunimi i qytetarëve sepse ata duhet të jenë më të kujdesshëm për qytetin, për ambientin. Jemi duke bërë punë të mirë me Eko Regjionin mirëpo përpos progresit që është arritur, ka ende punë për t’u bërë. Në anën tjetër, sa i përket trafikut, ne kemi bërë një studim të mobilitetit, me ndihmën e UNDP edhe kemi pasur disa intervenime në bazë të zgjedhjeve që ata i kanë rekomanduar. Kemi ndërtuar disa rrethrrotullime, kemi zgjeruar rrugë, kemi bërë trotuare dhe e kemi shkarkuar pak atë dendësinë e madhe të trafikut por ende ka nevojë për punë, për shkarkim. Kemi ide, kemi plane por s’kemi pasur dhe buxhet sepse kemi pasur probleme të asaj natyre”, ka potencuar ai.

Totaj ka folur për realizimin e premtimeve në këtë mandat, teksa thotë se vetëm 15 për qind e tyre s’kanë filluar, e kjo thotë se ka ndodhur për shkak të kompetencave ligjore dhe institucionale.

“55 për qind të premtimeve të realizuara, pastaj 15 për qind të premtimeve janë gjysmë të realizuara, d.m.th., dy të tretat e premtimeve të realizuara, 20 për qind janë të filluara, vetëm 15 për qind kanë mbetur pa u filluar. Këto kanë mbetur pa filluar për shkak të kompetencave ligjore dhe institucionale. Thjesht nuk ka kapacitet financiar komuna më tepër por kemi pasur edhe vonesa te teleferiku, pjesa e parkingut. Analiza është bërë, premtimet bëhen në bazë të nevojave që i ka qyteti në kontekst të kohës dhe mjeteve financiare por thjesht për një mandat katërvjeçar nuk kemi mundur”, ka theksuar ai.

I pari i Prizrenit ka treguar për projektet që i ka realizuar në fusha të ndryshme, arsim, shëndetësi e kulturë.

“Janë disa projekte shumë të rëndësishme që ne i kemi përfunduar, folëm për shadërvanin, kemi folur për rrugën e tranzitit të ri e cila me një mund të madh është rregulluar, mandej në aspektin e arsimit i kemi bërë disa punë shumë të mira, sot e përuruam një shkollë të re, kemi rritur shumëfish bursat për studentë dhe nxënës, në shëndetësi kemi bërë disa objekte të reja, disa qendra të mjekësisë familjare. Në kulturë, komuna i ka financuar ato organizata krejt për festivale. Neve na vjen mirë që ato mjete kanë dhënë rezultat dhe kanë ndikuar në rritje të nivelit të jetës kulturore por kanë pasur dhe impakt në zhvillim të turizmit dhe ngritje të dinamikës së jetës në përgjithësi në Prizren”, ka deklaruar Shaqir Totaj për BlicInterview.