Në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Pjetër Shala ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të Apelit i cili ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
Sipas një vendimi të kësaj gjykate i cili ka përcaktuar afate për parashtresat e palëve në këtë ankesë të Shalës, ai e kishte dorëzuar këtë ankesë me 14 tetor 2025 e cila është edhe konfidenciale.
Ndryshe, Prokuroria dhe Mbrojtja e Viktimave janë urdhëruar që të paraqesin përgjigjet e tyre në ankesën e Shalës jo më vonë se 3 dhjetorit 2025.
Ndërsa, kundërpërgjigjen e tij, Shala duhet ta dorëzojë jo më vonë se me 16 janar 2026.
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur më 14 korrik 2025 aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera.
“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.
Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anulon vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës.
Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.
Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Betimipërdrejtësi
Të tjera
Vendi më i mirë për të ruajtur ilaçet në shtëpi
Shtatë mënyra si të fitoni respektin tek fëmijët tuaj problematikë
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës