Zyrtarët amerikanë dhe të Bashkimit Evropian publikuan të enjten një përmbledhje të shkurtuar të marrëveshjes së tyre tregtare, e cila vendos një taksë importi prej 15% të mbi 70% të mallrave evropiane të eksportuara drejt Shteteve të Bashkuara, por lanë bosh fusha kyçe si vera dhe pijet alkoolike, si dhe çeliku, duke treguar se bisedimet do të vazhdojnë për këto dhe për një sërë sektorësh të tjerë të rëndësishëm.
Të dy palët thanë se dokumenti ishte vetëm “një hap i parë në një proces që mund të zgjerohet më tej për të mbuluar fusha shtesë.” Ato po merren me gamën e gjerë të mallrave që tregtohen midis dy ekonomive, në marrëdhënien më të madhe dypalëshe tregtare në botë, që përfshin 2 trilionë dollarë në biznes transatlantik çdo vit, raporton AP.
Teksti prej 3 faqesh e gjysmë përfaqëson një angazhim politik dhe nuk është juridikisht detyrues. Ai bie ndesh me formatin tipik të marrëveshjeve tregtare, të cilat mund të jenë qindra faqe të gjata dhe të kenë fuqi ligjore.
Pikat kryesore janë tarifa 15% mbi shumicën e mallrave të BE-së, një normë zero për makinat amerikane dhe mallrat e tjera industriale të eksportuara në BE me 27 anëtarë, si dhe një sërë përjashtimesh nga tarifa 15% për avionët dhe pjesët e avionëve, farmaceutikët gjenerikë dhe përbërësit farmaceutikë, me sektorë të tjerë që do të shtohen për mallrat jetike për ekonomitë e njëra-tjetrës. Këto mallra do të përballeshin me tarifa më të ulëta, sesa ato të vendosura më herët gjatë ofensivës tarifore të presidentit Donald Trump.
“BE ka rënë dakord të hapë tregun e saj prej 20 trilionë dollarësh,” tha sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, në X. “Tregu i dytë më i madh në botë pas SHBA-së.”
Ai tha se marrëveshja ishte “një fitore e madhe për punëtorët amerikanë, industritë amerikane dhe sigurinë tonë kombëtare. Tarifat duhet të jenë një nga fjalët e preferuara të Amerikës.”
Zyrtarët evropianë janë detyruar ta mbrojnë marrëveshjen përballë pakënaqësisë nga bizneset dhe qeveritë e vendeve anëtare për tarifat më të larta dhe kritikave se BE-ja dha shumë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e prezantoi marrëveshjen si një lehtësim të menjëhershëm nga tarifa e lartë amerikane për makinat e BE-së, prej 27.5%, por edhe për hapjen e rrugës për negociata të tjera që mund të përjashtojnë më shumë mallra nga tarifat 15%. Marrëveshja parashikon që tarifa më e ulët për makinat të zbatohet retroaktivisht nga 1 gushti, nëse BE arrin të miratojë legjislacionin për ta zbatuar pjesën e saj të marrëveshjes deri atëherë, gjë që zyrtarët e BE-së thonë se do ta bëjnë.
“Përballë një situate sfiduese, ne kemi dhënë rezultate për shtetet tona anëtare dhe industrinë …”, tha Von der Leyen. “Ky nuk është fundi i procesit.”/rtk
Të tjera
“Vdekja, kjo Zonjë Omadhështore!”Çfarë shkroi Artur Zheji për vdekjen 1 vit më parë
Si të shmangni thithjen e energjisë negative të njerëzve të tjerë
Lista Serbe rrezik më serioz për Kosovën sesa AfD për Gjermaninë