Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar vendeve evropiane të NATO-s që deri në vitin 2027 të marrin përsipër shumicën e aftësive mbrojtëse të aleancës, një afat që shumë kryeqytete evropiane e shohin si tepër ambicioz dhe të vështirë për t’u realizuar.
Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë vendeve evropiane të NATO-s që brenda vitit 2027 të marrin mbi vete pjesën më të madhe të aftësive konvencionale të mbrojtjes së aleancës, nga inteligjenca, te sistemet raketore dhe pajisjet e tjera ushtarake. Kjo kërkesë u komunikua nga zyrtarë të Pentagonit gjatë një takimi në Uashington me përfaqësues diplomatikë evropianë, raportojnë disa burime për Reuters.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur pakënaqësi me ritmin e Evropës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Sipas tyre, nëse Europa nuk arrin objektivat deri në vitin 2027, SHBA mund të tërhiqet nga disa mekanizma të koordinimit brenda NATO-s.
Afati ambicioz ka shkaktuar shqetësim tek disa vende evropiane, të cilat theksojnë se zëvendësimi i kapaciteteve të SHBA-së kërkon jo vetëm investime të mëdha, por edhe kohë të gjatë, sidomos në kushtet kur industria e mbrojtjes përballet me vonesa të mëdha në prodhim.
Ekspertët e sigurisë kujtojnë se shumë prej aftësive që SHBA i sjell NATO-s, si inteligjenca, mbikëqyrja dhe teknologjitë e avancuara – nuk mund të zëvendësohen shpejt. Kjo e bën edhe më sfiduese arritjen e objektivit për 2027.
Ndërkohë, BE synon që Evropa të jetë e aftë të mbrohet vetë deri në vitin 2030, duke plotësuar boshllëqet në mbrojtjen ajrore, dronët, luftën kibernetike dhe prodhimin e municioneve. Por edhe ky afat konsiderohet tejet ambicioz nga analistët.



Të tjera
10 gjëra për çka njerëzit pendohen që s’i kanë bërë në rini
Oficerja e FSK-së Lirijona Bajraktari triumfon në Abu Dhabi
Puna gjatë natës të mplak trurin