Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur të pezullojë përkohësisht përpunimin e vizave për emigrantë nga 75 vende, në një përpjekje për të forcuar kriteret ndaj aplikantëve që mund të konsiderohen si të varur nga ndihmat publike, të njohura si “public charge” (persona të varur nga shteti, barrë për shtetin)
Një memorandum i Departamentit, i parë fillimisht nga Fox News Digital, i udhëzon oficerët konsularë të refuzojnë vizat sipas ligjit ekzistues ndërsa po rishikohet procedura e shqyrtimit dhe verifikimit të aplikantëve. Vendet e prekura përfshijnë, ndër të tjera, Somali, Rusi, Afganistan, Brazil, Iran, Irak, Egjipt, Nigeri, Tajlandë dhe Jemen. Pezullimi do të nisë më 21 janar dhe do të zgjasë derisa të përfundojë rishikimi i përpunimit të vizave, njofton Fox News.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë në fokus veçanërisht Somali, pas një skandali të madh mashtrimi që u zbulua në Minnesota, ku prokurorët zbuluan keqpërdorime të mëdha të programeve të financuara nga taksapaguesit. Shumica e të përfshirëve ishin shtetas somalezë ose amerikanë me origjinë somaleze.
Në nëntor 2025, Departamenti i Shtetit dërgoi një shkresë në postet diplomatike në mbarë botën, duke udhëzuar oficerët konsularë të zbatojnë rregulla të reja të rrepta sipas parashikimeve për “public charge”. Sipas këtyre rregullave, vizat mund të refuzohen për aplikantët që ka të ngjarë të mbështeten në ndihmat publike, duke marrë parasysh një gamë të gjerë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, gjendjen financiare dhe nevojën e mundshme për kujdes afatgjatë mjekësor.
Ndërkohë, përjashtimet nga pezullimi do të jenë shumë të kufizuara dhe vetëm për ata aplikantë që kalojnë vlerësimin e plotë të “public charge”.
Ligji i Imigracionit dhe Shtetësisë ka lejuar prej dekadash që oficerët konsularë të refuzojnë aplikantët për arsye të “public charge”, por zbatimi i tij ka ndryshuar gjatë administratave të ndryshme. Në vitin 2019, administrata Trump zgjeroi këtë përkufizim për të përfshirë më shumë lloje ndihmash publike, por kjo zgjerim u sfidua në gjykatë dhe pjesërisht u bllokua, para se të anulohej nga administrata Biden.
Lista e plotë e 75 vendeve të prekura përfshin: Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahama, Bangladeshi, Barbados, Bjellorusi, Belize, Bhutan, Bosnje, Brazil, Burma, Kamboxhia, Kamerun, Kepi Verde, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipt, Eritrea, Etiopi, Fiji, Gambia, Gjeorgji, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Iran, Irak, Xhamajka, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Kirgizi, Laos, Liban, Liberia, Libi, Maqedoni, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruanda, Saint Kitts e Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudani, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Uganda, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.



Të tjera
Njësia B1 rikthehet në operim, prodhimi i energjisë në kapacitet të plotë
Aloe Vera për lëkurë më të shëndetshme
Dorëzon dorëheqje edhe Imri Ahmeti nga pozita e sekretarit të LDK-së