CNN: Punonjësit e CIA k*ërcënojnë Trump se do ua shesin sekretet shërbimeve të huaja

SHBA kërkon ekstradimin e dy spiunëve, ata ndodhen në Serbi

Një shtetas britanik është akuzuar për tentativë për të kontrabanduar teknologjinë ushtarake amerikane në Kinë.

John Miller dhe shtetasi kinez Cui Guanghai akuzohen për përndjekje ndërshtetërore, kontrabandë dhe shkelje të Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm amerikan Todd Blanche tha: “Siç pretendohet, të pandehurit u angazhuan në një komplot për të kontrabanduar teknologji të ndjeshme ushtarake amerikane në regjimin kinez. Ky është një sulm i pacipë ndaj sigurisë sonë kombëtare dhe vlerave tona demokratike”.

“Të pandehurit dyshohet se kishin planifikuar të ngacmonin dhe frikësonin edhe një individ që kritikoi veprimet e Kinës”, tha zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kanë instaluar një pajisje gjurmuese në veturën e viktimës, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ata gjithashtu dyshohet se blenë dhe shkatërruan skulptura artistike që kishte bërë viktima, të cilat përshkruanin presidentin kinez Xi Jinping dhe gruan e tij.

Ndër tjera, të akuzuarit Cui dhe Miller dyshohet se kanë paguar dy persona të tjerë rreth 36,500 dollarë amerikanë për ta bindur viktimën që të ndalojë postimin e fotove të skulpturave të tij në internet, thuhet në aktakuzë.

Ndryshe, nëse dënohen, dyshja përballen me dënimet maksimale të mëposhtme: deri në pesë vjet burg për komplot, pesë vjet për ndjekje ndërshtetërore, 20 vjet për shkelje të Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve dhe 10 vjet për kontrabandë.

Të dy ndodhen aktualisht në Serbi dhe autoritetet amerikane po punojnë me zyrtarët serbë për t’i ekstraduar.

Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme Britanike tha: “Ne po ofrojmë ndihmë konsullore për një shtetas britanik pas arrestimit të tij në Serbi në prill dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale dhe familjen e tij.”