SHBA kundërshton Parlamentin izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor

SHBA kundërshton Parlamentin izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor

Sekretari Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se një hap nga parlamenti izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar do të rrezikonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

 

“Kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani,” tha Marco Rubio, përpara se të nisej për në Izrael, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të forcuar një marrëveshje të brishtë armëpushimi.

Në një përpjekje të dukshme për të vënë në siklet kryeministrin izraelit, politikanët e ekstremit të djathtë morën një hap simbolik, duke dhënë miratimin paraprak për një projektligj që i jep Izraelit autoritet për të aneksuar Bregun Perëndimor.

Në fund të vizitës së tij në Izrael, nënkryetari amerikan, JD Vance theksoi se kjo do të ishte manovër fyese.

“Nëse ishte një manovër politike, ishte një manovër shumë e marrë dhe personalisht e konsideroj fyese”, theksoi ai.

“Bregu Perëndimor nuk do të aneksohet nga Izraeli. Politika e administratës Trump është që Bregu Perëndimor të mos aneksohet nga Izraeli,” u tha JD Vance, gazetarëve në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv të enjten.

“Kjo do të vazhdojë të jetë politika jonë. Nëse njerëzit duan të bëjnë votime simbolike, le t’i bëjnë, por ne sigurisht nuk jemi të kënaqur me këtë”.

Palestinezët pretendojnë Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, si pjesë të një shteti të ardhshëm të pavarur.

Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata më e lartë e OKB-së, deklaroi se pushtimi izraelit është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur më parë mbështetje për aneksimin e tokave në Bregun Perëndimor, por nuk e ka çuar përpara një veprim të tillë për shkak të rrezikut që do të dëmtonte marrëdhëniet me SHBA-në, aleatin më të rëndësishëm të Izraelit, si dhe me vendet arabe që kanë ndërtuar marrëdhënie me Izraelin pas dekadash armiqësie.