Presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po u kthejnë shpinën partnerëve të tyre, duke përmendur politikat tregtare dhe të sigurisë.
”SHBA-ja është një fuqi e konsoliduar, por gradualisht po largohet nga disa prej aleatëve të saj dhe po shkëputet nga rregullat ndërkombëtare që deri vonë i promovonte vetë”, u tha Macron sot ambasadorëve në Paris.
Ai tha se mes fuqive të mëdha ekziston një tundim për ”ta ndarë botën”.
”Institucionet shumëpalëshe po funksionojnë gjithnjë e më pak. Ne po jetojmë në një botë të fuqive të mëdha, me një tundim real për ta ndarë botën”, shtoi ai.
Fjalimi i Macron vjen në një kohë kur fuqitë evropiane po përpiqen të gjejnë një përgjigje të koordinuar ndaj politikës gjithnjë e më assertive të Uashingtonit në Hemisferën Perëndimore, përfshirë kapjen e liderit të Venezuelës, Nicolas Maduro, si dhe ambiciet e presidentit Donald Trump lidhur me Groenlandën.
Presidenti francez u ndal gjithashtu te përpjekjet në vazhdim për të siguruar një armëpushim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, disa ditë pasi u zotua se do të vendosë trupa franceze në terren për të garantuar sigurinë e Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Macron gjithashtu tha se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj dhe bëri thirrje për konsolidimin e rregullimit evropian të sektorit të teknologjisë.
Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pavarësisë akademike dhe vlerësoi ”mundësinë për të pasur një hapësirë informacioni të kontrolluar ku opinionet mund të shkëmbehen plotësisht lirshëm, por ku zgjedhjet nuk bëhen nga algoritmet e disa pak kompanive”.
Brukseli ka miratuar një arsenal të fuqishëm ligjor për të frenuar gjigantët e teknologjisë – veçanërisht përmes Aktit për Tregjet Digjitale (DMA), që lidhet me konkurrencën, dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), që ka të bëjë me moderimin e përmbajtjes.
Uashingtoni i ka dënuar këto rregulla si një përpjekje për të “detyruar” platformat amerikane të rrjeteve sociale të censurojnë pikëpamje që ato i kundërshtojnë.



Të tjera
Partia e Nenad Rashiqit fiton një ulëse në Kuvendin e Kosovës
Si të liroheni sa më shpejt nga viruset?
Gjenden mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës