SHBA propozon krijimin e një force ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës

SHBA propozon krijimin e një force ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës

Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar një projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku propozohet krijimi i një force ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës me një mandat fillestar prej të paktën dy vjetësh.

 

Dokumenti, i siguruar nga portali Axios, është klasifikuar si “i ndjeshëm por jo sekret” dhe parashikon që SHBA dhe vendet pjesëmarrëse të kenë një mandat të gjerë për të qeverisur Gazën.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar për Axios se projektrezoluta do të shërbejë si bazë për negociatat mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me synimin që të votohet për miratimin e saj në javët në vijim dhe që njësitë e para të vendosen në Gaza deri në janar.

Sipas tij, Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë, të quajtura ISF, nuk do të jenë një mision paqeruajtës, por një mision zbatimi që do të përfshijë trupa nga disa vende dhe do të formohen në bashkëpunim me një strukturë të re të quajtur Komiteti për Paqen në Gaza.

Sipas projektrezolutës, ISF do të ngarkohen me detyra të shumta, përfshirë sigurimin e kufijve të Gazës me Izraelin dhe Egjiptin, mbrojtjen e civilëve dhe korridoreve humanitare, trajnimin e një force të re policore palestineze, si dhe stabilizimin e situatës së sigurisë në territorin e Gazës. Dokumenti thekson se ISF do të angazhohen në procesin e demilitarizimit, duke shkatërruar dhe parandaluar rindërtimin e infrastrukturës ushtarake, terroriste dhe ofensive, si dhe çarmatimin e grupeve të armatosura jo-shtetërore.

Komiteti për Paqen, sipas dokumentit, do të mbetet aktiv të paktën deri në fund të vitit 2027. ISF do të kenë gjithashtu mundësinë të marrin përsipër detyra shtesë, sipas nevojës, për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes për Gazën.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se vendet do të marrin vendim për pjesëmarrjen ushtarake vetëm pasi të shqyrtojnë përmbajtjen e rezolutës. Ai ka theksuar se vendet me të cilat është biseduar kanë shprehur se vendimi për dërgimin e trupave do të merret bazuar në përkufizimin e përfshirë në dokumentin që pritet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.