Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar “fuqishëm” një sulm nga kolonët e paligjshëm izraelitë në një xhami në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm dënon fuqishëm sulmin në një xhami në Deir Istiya në Bregun Perëndimor të pushtuar”, tha zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media.
Ai theksoi se “akte të tilla dhune dhe përdhosje të vendeve fetare janë të papranueshme”.
“Vendet fetare duhet të respektohen dhe të mbrohen në çdo kohë”, tha Guterres, duke dënuar “të gjitha sulmet nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar”.
“Incidente të tilla jën pjesë e një modeli në rritje të dhunës ekstremiste që po ngjall tensione dhe duhet të ndalet menjëherë”, tha zëdhënësi.
Dujarric gjithashtu theksoi se “Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet të mbrojë popullsinë civile palestineze dhe të sigurojë që ata që janë përgjegjës për sulmet të mbahen përgjegjës”.
Sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm janë përshkallëzuar në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 1.070 palestinezë dhe duke plagosur rreth 10.300 të tjerë.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Të tjera
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten
Shqipëria për herë të parë në Play Off të një Botërori
Konsumimi i mishit të përpunuar i bën keq zemrës